Alfred Peza

Të hënën e kësaj jave, kur vëmendja e shqiptarëve ishte paradite tek 12 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe pasdite tek Konferenca e Donatorëve për projektin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019, Ilir Meta ishte më aktiv se çdo herë tjetër. Kërkoi të tërhiqte vëmendjen me çdo kusht, për ti detyruar prozhektorët e interesit publik, që të binin mbi të.

Paradite doli në një konferencë të (Jashtë)zakonshme shtypi nga Presidenca. Në darkë, në ekranin e një televizioni kombëtar, përballë gazetarëve. Shqetësimi i tij lidhej me një ndryshim ligjor të bërë sëfundi në Parlament, që ka të bëjë me momentin e betimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, në rast se Kreu i Shtetit nuk e zhvillon këtë ceremoni, brenda afatit të sotëm që përcakton dokumenti themeltar i shtetit.

E thënë më thjeshtë, ky ndryshim zhbllokon ngërçin artificial të krijuar, duke i hapur rrugën nisjes së funksionimit të Gjykatës Kushtetuese. Një nga vendimet e para që pritet të marë kjo gjykatë, besohet se do të jetë gjykimi i aktit të mundshëm të mazhorancës parlamentare, për shkarkimin e Presidentit të Republikës. I pyetur nga gazetarët nëse Ilir Meta është i përgatitur edhe për këtë skenar, ai u përgjigj: “Jam përgatitur për të gjithë skenarët. Edhe me tanke po të vijnë ne Presidencë do marrin përgjigjen më shembullore. Para se te më shkarkojnë ata do i shkarkoj unë me popullin shqiptar. Po e bëj të qartë, jam gati për çdo skenar. Ata le të vazhdojnë, unë do t’u jap përgjigje shembullore”.

Se çfarë nënkuptonte Kreu i Shtetit me këtë, u sqarua një ditë më pas, kur u takua me Kryetarin e PD Lulzim Basha, i cili e harroi fushatën me imazhin e ri që ka tentuar të krijojë ditët e fundit duke u rikthyer në origjinë. Brenda 7 minutave të një prononcimi për gazetarët, ai e përsëriti 9 herë fjalën “rrotacion”. Si për të vërtetuar se nuk kishte fare hallin e Ilir Metës, pasi ai për vete deklaroi se do futet në zgjedhje. E vetmja frikë, ishte se mos po i prishej ëndrra me Kryeministër, që ka nga 2013 që e sheh rregullisht në gjumin e tij të gjatë opozitar.

Kur u kuptua kjo, përmes zëdhënësit të tij, Presidenti i Republikës e sqaroi vetë skenarin e ri me të cilin beson se po kërcënon mazhorancën. Pikërisht në 18 shkurt, fiks në 1 vjetorin e marrjes së vendimit nga forumet drejtuese të partive të “Opozitës së Bashkuar” për të djegur mandatet e deputetëve dhe fillimit të “Revolucionin Popullor” Nr. 1, ai shpalosi skenarin për “Revolucionin Popullor” Nr. 2.

“Parlamentin do e shpërndajë populli. Presidenti vetëm do të zbatojë vullnetin e tij. Dhe dekretin për kthimin e ligjit për grushtin e shtetit do e vendosë populli. Presidenti vetëm do e firmosë në emër të tij. Do ketë disa dekrete për shpartallimin e “Gushtit të Shtetit”. Bëni durim! Dekretet do ti zbatojë populli shqiptar!”,- tha zëdhënësi i Metës.

Pika që e lidh skenarin e 18 shkurtit 2020 me atë të 18 shkurtit 2019, është se edhe atëherë, edhe sot udhëheqësit e “revolucioneve” kanë folur në emër të popullit. Historia na mëson se “për popullin” dhe “në emër të popullit” kanë folur vetëm bolshevikët. Ata udhëhoqën vërtetë një lloj revolucioni, fundi i të cilit dihet tashmë, por ne kemi 30 vjet që jetojmë në një epokë tjetër. Ndaj ta shesësh sot hallin tend personal, si hall kombëtar, është më shumë se fyerje inteligjence për qytetarët shqiptarë.

Ndryshimi mes dy “revolucioneve” të dy viteve të fundit, qëndron në faktin se atë të vitit të kaluar, e udhëhoqi Lulzim Basha. Ndërsa këtë të këtij viti, e ka marë përsipër që ta udhëheqë me sa duket, Ilir Meta.

Ndryshimi tjetër është se udhëheqësi i opozitës edhe ka ndodhur që të udhëheqë ndonjë revolucion të vërtetë që buron nga poshtë, por jo një si ai i opozitës sonë që u nxit artificialisht prej saj, nga lart. Por që një revolucion kundër mazhorancës legjitime, të votuar përmes një procesi të çertifikuar zgjedhor, ta udhëheqë ai që me Kushtetutë konsiderohet si “përfaqësues i unitetit të popullit”, kjo as është parë e as është dëgjuar ndonjëherë në historinë e botës demokratike.

Ndaj pasi kemi parë të gjithë sesi përfundoi “Revolucioni Nr. 1” i udhëhequr nga Lulzim Basha, jemi shumë kuriozë që të shohim sesi do të përfundojë “Revolucioni Nr. 2”, që do të udhëhiqet nga Ilir Meta. Jo për gjë, por që të kemi mundësi, që edhe të qeshim nga pak. Sepse siç e dini të gjithë tashmë “historia përsëritet dy herë. Herën e parë si tragjedi, herën e dytë si komedi!”