Ministria e Drejtësisë ka organizuar sot forumin e Shoqërisë Civile, në kuadër të “Javës së Integritetit” ku u prezantuan masa konkrete dhe qasje efektive për të rritur rezultatet në luftën kundër korrupsionit.

Në cilësinë e Koodrinatorit Kombëtar kundër korrupsionit, ajo tha se po punohet ndër të tjera edhe për një dokument politikash me qëllim që të rritet ndërgjegjësimi qytetar për të denoncuar korrupsionin.

“Nëse një pjesë e qytetarëve mundet që për shkak të kulturës që vendi ynë ka pasur dhe ka, nuk arrin t’i kuptojë të gjitha format e korrupsionit, do duhet të gjithë së bashku por edhe aktorët e shoqërisë civile të ndihmojnë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për të gjitha llojet dhe format e korrupsionit. Dhe kjo do të ndihmojë në rritjen e rasteve të denoncimeve të cilët qytetarët do të bëjnë për korrupsionin apo edhe për veprime të tjera të cilat janë abuzive me detyrën nga administrata publike. Jemi të vendosur që të luftojmë korrupsionin me të gjitha mjetet ligjore por njëkohësisht edhe me mekanizmat e ngritura. Sot edhe komiteti koordinativ i ngritur me politikat dhe monitorimin e strategjisë është ngritur në një nivel politik, nga një nivel ekzekutiv që ka qenë më herët. Sot kemi në tryezë të gjithë zv/Ministrat e të gjitha ministrive të linjës së bashku si dhe aktorë të shoqërisë civile të cilët mblidhen 1 herë në 3 muaj nën drejtimin e koordinatorit kombëtar antikorrupsion me qëllim që të zbatojnë monitorimin e planit të veprimit, dhe të ngrenë problematika të cilat evidentohen në zbatimin e saj”, u shpreh Gjonaj.

Gjonaj vlerësoi lartë rolin e Shoqërisë Civile ku theksoi se “shërben si barometri më i saktë i ndjeshmërisë qytetare ndaj politikave dhe zbatimit të tyre, dhe padyshim roli i aktorëve të Shoqërisë Civile në proceset vendimmarrëse është shumë i rëndësishëm edhe për një arsye tjetër që është pikërisht rrugëtimi i Shqipërisë në BE”.

Teksa u ndal te “Java e Integritetit”, Gjonaj u shpreh se kjo vjen si një fushatë kombëtare për ngritjen e vetëdijes ku veprimi kolektiv është parashikuar si mjet për të tërhequr vëmendjen për rëndësinë e integritetit dhe për të promovuar sjelljen etike.

“Kjo javë i është dedikuar tryezave, forumeve me përfaqësues dhe aktorë të sektorit publik dhe sektorit privat, ku njëkohësisht do të organizojmë tryeza dhe forume me studentë apo akademikë. Ashti siç është ky aktivitet me përfaqësues të shoqërisë civile, ku po diskutojmë dhe flasim për problematikat kundër korrupsionit, por edhe masat apo gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve. Mua më vjen mirë që jeni të gjithë së bashku sot dhe të diskutojmë mbi idetë, mbi platformat tuaja për të luftuar korrupsionin, për të rritur transparencën, por edhe për të mbajtur shënim çdo sugjerim tuajin me qëllim që në të ardhmen të krijojmë ura më të mira bashkëpunimi”, u shpreh ministrja e Drejtësisë.

Ajo risolli edhe njëherë në vëmendje planet e integritetit që do të implementohen së shpejti për administratën publike.

“Ne si Ministri e Drejtësisë kemi ecur mjaft mirë me një element të ri të cilin i shtohet si mekanizëm kontrollues në luftën kundër korrupsionin, planet e integritetit. Së bashku me IDM dhe UNDP kemi filluar nga puna për vlerësimin e analizave të riskut si dhe zbatimin e planeve të integritetit që do të gjejnë zbatim deri në Qershor. Do të prezantohet Ministrinë e Drejtësisë si projekt pilot dhe do të aplikohen më pas edhe në Ministritë e tjera jo vetëm se thjesht duhet, por të jenë mekanizma të mirë ligjorë”, përfundoi Gjonaj.