Këmbëngulja për të hyrë ilegalisht në Gjermani i ka kushtuar prangat një shqiptari 34-vjeçar. Ai është arrestuar nga oficerët e policisë federale, pasi kishte provuar brenda 24 orësh të hynte dy herë të tjera ilegalisht në Gjermani.

Oficerët e policisë federale po kontrollonin një taksi me regjistrim austriak në pikën kufitare në Schwarzbach në A8, shkruan “dpa.de”. Kur ata kontrolluan detajet personale të pasagjerit 34-vjeçar, i cili kishte pasaportë të vlefshme shqiptare, u aktivizua alarmi në kompjuterin e policisë.

Personi i kontrolluar e kishte të ndaluar deri në janar të vitit 2024 hyrjen dhe qëndrimin në Gjermani për shkak të falsifikimit të dokumenteve, punës pa leje, si dhe hyrjes dhe qëndrimit të paautorizuar.

Ajo që zyrtarët zbuluan veç kësaj, ishte edhe më interesante: shqiptari kishte bërë tashmë dy përpjekje më 17 shkurt për të hyrë në Gjermani në mënyrë ilegale, shkruan “albinfo.ch”. Ai kishte provuar të futej me autobus në pikën e kontrollit kufitar në Schwarzbach të hënën në mëngjes. Por, pas kontrollit nga policët, qe kthyer mbrapsht në Austri.

Disa orë më vonë ai ka provuar fatin e tij me tren. Por, Policia Federale e ka arrestuar përsëri dhe sërish nuk e ka lejuar të hynte në Gjermani. Pas përpjekjes së tretë, policia e ka sjellë 34-vjeçarin para gjykatësit hetues i cili ka urdhëruar mbajtjen e tij në burgun e hetimeve, prej nga më pas e kanë dërguar në një institucion korrektues.