Ministri i Shtetit për Rindërtimim, Arben Ahmetaj deklaroi sot se në platformën “Shtëpia ime”, janë kryer mbi 14 mijë aplikime për të përfituar nga një prej programeve të rindërtimit. Gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar për Rindërtimin të mbajtur sot, Ahmetaj bëri të ditur se fokusi do të jetë tek ecuria e procesit, zonat e reja për zhvillim, shpronësimet, modelet e banesave dhe projekti me Entin Kombëtar të banesave me Turqisë. Ahmetaj, vuri në dukje se aplikimi në sportele është hapi i parë i domosdoshëm, për të përfituar prej njërit nga pesë programet e rindërtimit, ndërsa mbi 260 punonjës të dedikuar në sportele janë në dispozicion për të orientuar dhe asistuar banorët në të gjithë bashkitë e prekura nga tërmeti.
“Mbi 14 mijë qytetarë kanë aplikuar në sportelet e dedikuara të platformës “Shtëpia ime”, pranë bashkive dhe njësive administrative ku banojnë, për të përfituar nga programet e Rindërtimit. Ritmi i aplikimeve tashmë ka kapërcyer mbi 2 mijë në ditë”nga 100 që ishte në ditët e para”, tha Ahmetaj. Më tej, Ahmetaj bëri të ditur se janë akomoduar në ]adra 10 023 qytetarë, ndërsa mbi 12 mijë familje kanë përfituar bonusin e qirasë.
“Deri tani,- tha ai,- janë dhënë 1 455 leje me procedurë të përshpejtuar për të rikonstruktuar godinat e klasifikuara”. Ministri shpjegoi se janë inspektuar deri tani mbi 51 mijë banesa. Nga këto, janë 8 925 banesa të klasifikuara si të pabanueshme, ndërkohë vazhdon vlerësimi i thelluar në zonat e prekura Po ashtu ai informoi se janë 357 pallate të inspektuara thellësisht, nga të cilat 115 janë për tu shembur dhe procedura e shembjes është e detajuar në prezencë të disa institucioneve pas daljes së raportit. Ndërkohë, 242 pallate janë për tu rikonstruktuar.
Sa i takon banesave individuale, ministri Ahmetaj shpjegoi se janë 1 523 shtëpi individuale për tu shembur ndërsa vijohet me procesin e vlerësimit. Pas vlerësimit të thelluar në 79 shkolla , ministri informoi se 62 prej tyre do të rikonstruktohen dhe 17 do të riparohen. Edhe në qendrat shëndetësore është kryer një inspektim i thelluar, ku sipas Ahmetaj, janë inspektuar 25 qendra shëndetësore, ndër të cilat 23 janë për rikonstruksion dhe 2 për riparim të thelluar.Gjithsej deri tani sipas ministrit janë shembur 88 objekte.