Skuadra e Milot Rashicës, Werder Bremen nuk po di të këndellët në Bundesligën gjermane dhe tashmë është kandidati kryesor për rënie nga liga. Sot janë zhvilluar ndeshjet e xhiros së 21 në Bundesligën gjermane ku për 90 minuta ka luajtur edhe Milot Rashica për Werder Bremen por edhe Valon Berisha për Fortuna Dusseldorf. Werder Bremen ka regjistruar sot humbjen e 12-të në Bundesligën gjermane këtë sezon duke mbetur në vendin e parafundit me vetëm 17 pikë pasi që sot ka humbur me rezultat 0-2 kundër Union Berlinit. Pjesa e parë e kësaj ndeshje përfundoi me rezultat të barabartë 0-0 por në pjesën e dytë Union Berlin shënon dy gola. Fillimisht në minutën e 52-të do të shënonte Marius Bulter, kurse rezultati do të dyfishohej në minutën e 72-të me të njëjtin lojtar.

Kjo fitore ishte e mirëseardhur për Union Berlin pasi që e ngrit atë në vendin e 11-të me 26 pikë, kurse skuadra e Milot Rashicës është në vendin e 17 me vetëm 17 pikë këtë sezon. Skuadra tjetër ku luan mesfushori kosovar, Valon Berisha që u transferua gjatë janarit nga Lazio, Fortuna Dusseldorf ka arritur edhe një rezultat pozitiv sot. Ata kanë barazuar sot në Wolfsburg me rezultat 1-1. Madje skuadra e Valon Berishës ishte në avantazh deri në minutën e 50 të ndeshjes. Fortuna kaluan të parët në epërsi në minutën e 13 me anë te Matthias Zimmermann, kurse rezultatin e barazoi Renato Steffen në minutën e 50-të.

Edhe skuadra e Valon Berishës gjendet në zonën e rrezikshme të rënies nga Bundesliga gjermane, por ajo gjendet një pozitë më lartë se skuadra e Milot Rashicës, por me pikë të njëjta, pra 17. Wolsfburgu nga ana tjetër mbetet në vendin e 10-të me 28 pikë dhe barazimi i sotëm është hap fals për këtë skuadër pasi që e synon plasmanin s’paku në Europa Ligë sezonin e ardhshëm.