Presidenti i parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka, konfirmon mbështetjen për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vizitën zyrtare në parlamentin Italian. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Romë me Presidentin e Dhomës së Deputetëve në parlamentin italian, Roberto Fico, Sobotka konfirmoi qëndrimin e mëhershëm të Austrisë për të mbështetur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Sa i përket projektit të paqes për të cilin punon Europa, ai nuk mund të përmbushet nëse nuk bëjnë pjesë në të edhe vendet e Europës Juglindore, kështu që mendoj se është e rëndësishme edhe aty të ndërmarrim diçka, e dua të them që ne jemi në të njëjtën gjatësi vale. Në fakt, si unë, si president i parlamentit austriak, ashtu edhe presidenti i dhomës italiane të deputetëve, do të vizitojmë Shqipërinë për ta bërë të qartë rëndësinë e këtij vendi”, deklaroi ai. Më herët, Sobotka ka theksuar se bllokimi i negociatave për procesin e anëtarësimit dëmtonte perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe besueshmërinë e vetë Bashkimit Europian.