3 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes për vitin 2020, ndërsa nga fillimi i programit një vit më parë, janë më shumë se 40 mijë përfitues. “Mbi 40 mijë të porsalindur kanë përfituar nga bonusi i bebes, programi i ri i mbrojtjes sociale, që vijon të mbështesë çdo fëmijë që vjen në jetë me 40000 lekë nëse është fëmija i parë, 80 000 lekë fëmija i dytë dhe 120 000 lekë fëmija i tretë”, tha sot kryeministri Edi Rama.
Kryeministri u shpreh se “nga 1 janari, më shumë se 3000 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes”. Një nënë e cila sapo ka lindur shprehet se ka përfituar 800 mijë lekë me fëmijën e saj të dytë. “Për bonusin jam shumë e kënaqur sepse vjet kam lindur vajzën, 400 mijë lekë bonusi i parë dhe i dyti me djalin 800 mijë lekë”, -thotë ajo.
Po kështu, një tjetër nënë thotë se “kjo është lindja ime e dytë. Të dyja i kam bërë tek materniteti “Koço Glozheni”. Sa i përket bonusit është një shpërblim shumë i mirë për familjet shqiptare”. Janë 2519 fëmijë që kanë përfituar bonusin të lindur në spitale jopublike. Bonusin e kanë përfituar 11,057 të lindur jashtë vendit por të regjistruar në Shqipëri.