Protesta e Metës para Kryeministrisë, reagon ministri Shalsi: Një kryetar shteti i bërë grusht kundër shtetit. Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi ka reguar një ditë pas deklaratave të presidentit Ilir Meta kundër qeverisë. Në një postim në “Twitter”, Shalsi shprehet se Meta flet kundër kyeministrit Edi Rama në emër të popullit, por si duket harron që ai vetë nuk është zgjedhur prej tij.
“Flet kundër nesh dhe Edi Ramës në emër të popullit një President që nuk është zgjedhur nga populli,po nga Edi Rama dhe ne!Flet për mbrojtjen e Kushtetutës nga Parlamenti një President i Republikës Parlamentare!Flet për grusht shteti një Kryetar shteti i bërë grusht kundër shtetit”, shkruan Shalsi. Ndërsa më tej në postim shkruan se me deklaratat e tij, presidenti të cilin Shalsi e konsideron “kryetar shteti i bërë grusht kundër shtetit” ka kërcënuar dhe turpëruar çdo qytetar.
“Po shan, fyen, kërcënon dhe turpëron çdo qytetar. Një President tërësisht i çoroditur nga fitorja e rindërtimit në Bruksel dhe i pataksur nga mundësia e çeljes së negociatave!Tani i ka mbetur të thërrasë në protestë subjektet e Ligjit AntiKÇK me ushtarët e tyre të bashkëtronditur”, përfundon ministri. Kujtojmë se dje në një deklaratë për mediat, presidenti Meta ftoi të gjithë qytetarët në një protestë kundër qeverisë, e cila sipas tij do të mbahet më 2 mars në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.