Komisioni i Ligjeve miratoi sot ndryshimet e propozuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që synon dërgimin e betimit me shkrim nëse Presidenti i Republikës nuk organizon ceremoninë e betimit brenda një afati kohor. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bere betimin brenda 10 ditëve, me ndryshimet e reja që pëson ligji, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit te emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese.
Betimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë organizohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor brenda 10 ditëve. Nëse anëtari i Gjykatës së Lartë nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit të Lartë Gjyqësor, po ashtu edhe për prokurorët. Kjo lëvizje e mazhorancës erdhi pas vendimit të Presidentit Ilir Meta për të mos organizuar ceremoninë e betimit të Arta Vorpsi si gjyqtare e Kushtetueses duke u hapur një konflikt dhe përplasje institucionale në distancë me KED-në, por edhe shumicën. Për këtë shkak, zonja Vorpsi nuk mund të fillonte detyrën, ndërsa në vend të saj Presidentit Meta emëroi Marsida Xhaferllarin.