Ndërsa një qeveri e re më në fund merr detyrën, gjërat vetëm mund të përmirësohen për Kosovën pas një viti amullie ekonomike, pengesash diplomatike, keqmenaxhimi arsimor dhe një ndotje më të lart se kurrë në vend.

Nga Visar Xhambazi/

Viti 2019 ishte një vit që Kosova do të donte ta harronte. Asnjë nga “çështjet e mëdha” nuk u zgjidh në mënyrë efektive dhe shumë probleme u trashëguan nga vitet e kaluara. Ndërsa nis viti 2020, dhe Kosova feston 12-vjetorin e pavarësisë, nuk ka shumë për të festuar pas një viti amullie dhe skandalesh të shumta.

Nuk ishte aspak “viti i ekonomisë”

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj deklaroi disa herë se ai do të ishte “viti i ekonomisë”. Por nuk ndodhi kështu. Kosova mbeti një nga vendet më të varfra të Europës, ku më shumë se 40 për qind e popullsisë jetojnë nën kufirin zyrtar të varfërisë dhe rreth 17 për qind janë jashtëzakonisht të varfër.

Sipas Bankës Botërore, niveli i papunësisë së të rinjve në Kosovë mbetet rreth 50 për qind, pa ndonjë trend domethënës rënës. Për më tepër, ekonomia ende varet shumë nga paratë e dërguara në vend nga diaspora.

Vendosja e tarifave doganore në mallrat boshnjake dhe serbe dëmtoi më tej xhepat e vegjël të qytetarëve të Kosovës. Çmimi i disa produkteve, përfshirë mallrat bazë, siç janë produktet e bulmetit dhe buka, u rrit ndjeshëm si rezultat i tarifave.

Qeveria e Haradinajt ndërkohë shfrytëzoi çdo mundësi për të punësuar të afërm dhe besnikë të partisë në institucionet publike. Kjo e përforcoi akoma më shumë nocionin se për të siguruar një pune publike të paguar mirë në Kosovë duhet të kesh lidhje politike. Ai gjithashtu emëroi një numër shumë të madh zëvendësministrash, më shumë se 80. Kabineti i tij ishte më i madhi i parë deri më tani.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Kosova ka rënë me tre pikë që kur Haradinaj mori kryesimin e qeverisë, duke rënë nga vendi i 85-të që ishte në vitin 2017, në vendin e 101 në vitin 2019.

Më shumë ndotje

Nivelet e ndotjes së ajrit arritën nivele rekord këtë dimër. Në veçanti Prishtina shpesh kryesonte listën e dhjetë qyteteve më të ndotura në nivel global. Megjithatë, qeveria nuk dukej e shqetësuar dhe ka vazhduar të ndërtojë një termocentral të ri, duke futur Kosovën akoma më thellë në një të ardhme të ndotur nga forma më të pistë dhe më inferiore e qymyrit, linjitin.

Projekti nuk ka marrë mbështetjen e Bankës Botërore, për shkak të shqetësimeve mjedisore. Banka tërhoqi një ofertë kredie për ndërtimin e termocentralit të ri. Pavarësisht kësaj, qeveria nënshkroi një marrëveshje prej 1 miliardë eurosh me ContourGlobal me bazë në Nju Jork për të ndërtuar një termocentral 500 megavatësh.

Arsimi i lartë bën hapa pas

Arsimi ishte një sektor tjetër ku gjërat shkuan në drejtimin e gabuar. Me kërkesë të Haradinajt, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë shkarkoi të gjithë bordin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, AKA, dhe Këshillin Kombëtar të Cilësisë. Pas këtij vendimi, Shoqata Europiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, ENQA, revokoi anëtarësimin e AAK-së sepse agjencia nuk ishte më në gjendje të vepronte në mënyrë autonome dhe të merrte përsipër përgjegjësinë e plotë për operacionet e saj.

Kjo e ka bërë gjithnjë e më të vështirë që të rinjtë kosovarë të ndjekin karrierën e tyre profesionale dhe akademike jashtë vendit, pasi kjo vë në dyshim cilësinë dhe njohjen e diplomave të tyre.

Premtimi për liberalizimin e vizave venitet

Tema e liberalizimit të vizave dominoi axhendën e shumicës së qytetarëve. Nëse kishte një gjë që ata prisnin të ndodhte vitin e kaluar, ishte fundi i kërkesave për viza me Bashkimin Europian.

Ky proces filloi në fillim të vitit 2012 dhe Kosova arriti të përmbushte të gjitha standardet e përcaktuara në vitin 2018 – dhe mori një rekomandim pozitiv nga Këshilli Europian. Por BE-ja nuk e ka realizuar këtë dhe kufizimet e vizave mbeten në fuqi edhe sot.

Pavarësisht kësaj, lidershipi i Kosovës nuk humbi kurrë asnjë mundësi që të përpiqej të fitonte pikë politike, shpesh duke caktuar data specifike se kur njerëzit do të ishin në gjendje të udhëtonin pa viza. Këto gënjeshtra i ushqyen qytetarët e Kosovës me shpresa të rreme.

Në vend të njohjeve, pati revokim të njohjes

Jashtë vendit, qeveria nuk pati asnjë njohje të re diplomatike të shtetësisë së vendit gjatë vitit 2019. Përkundrazi, Kosova hyri në një cikël regresiv revokimi të njohjes, duke dëmtuar perspektivat e saj për të konfirmuar legjitimitetin e saj ndërkombëtar.

Serbia ndërkohë zhvilloi një fushatë efektive për të reduktuar numrin e vendeve që e njohin Kosovën si shtet. Sipas raporteve, gjatë vitit 2019, pesë vende: Palau, Togo, Republika e Afrikës Qendrore, Gana dhe Nauroja u tërhoqën nga njohja e pavarësisë së Kosovës. Në total, 14 vende e kanë revokuar njohjen, duke e çuar numrin e njohjeve në 98.

Dialogu i udhëhequr nga BE-ja me Serbinë gjithashtu pati pauzën e tij më të gjatë pasi Kosova vendosi një tarifë 100 për qind për mallrat serbe dhe boshnjake, kryesisht si një kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë për t’i nxitur vendet e tjera të tërheqin njohjen e Kosovës.

Pavarësisht nismave europiane për të vazhduar dialogun, nuk ka pasur ndonjë progres të dukshëm në marrëdhënie, pas përpjekjeve për ta bërë këtë në Samitin e Berlinit në prill dhe, pesë javë më vonë, gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Poznan, Poloni. BE-ja nuk arriti t’i shtyjë të dy qeveritë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo nuk arriti as t’i kthente ato dot në tryezën e bisedimeve.

Disa zhvillime pozitive në horizont

Ka pasur disa zhvillime pozitive. SHBA-ja emëroi dy të dërguar në rajon dhe shefi i ri i politikës së jashtme të BE-së e ka identifikuar si përparësi dialogun Kosovë-Serbi.

Organizimi i zgjedhjeve kombëtare ishte, me siguri, zhvillimi tjetër i madh pozitiv. Zgjedhjet ishin të menaxhuara mirë, transparente dhe konkurruese. Zgjedhjet e parakohshme u nxitën nga dorëheqja e Haradinaj pasi një gjykatë krimesh lufte në Hagë e thirri atë për ta marrë në pyetje si të dyshuar.

Lëvizja Vetëvendosja doli e para në zgjedhje, me Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK, të renditur e dyta, duke e bërë këtë një fitore të opozitës.

Kjo u ka dhënë sadopak shpresë qytetarëve që të ndiheshin të frustruar nga korrupsioni i gjerë dhe papunësia e lartë e lidhur me partinë e mëparshme në pushtet. Viti i ardhshëm do të tregojë nëse këto shpresa do të realizohen.