Nga Alfred Peza/

Sa më shumë i afrohemi padites së 2 marsit, kur të nisë në Tiranë “besëlidhja e madhe e shqiptarëve” me Ilir Metën, aq më shumë shtohet heshtja e SHQUP, në përpjestim të zhdrejtë kjo, me ethet politike të temperaturave të shtuara në oborrin e LSI.Selia e Partisë Demokratike me këtë rast, pothuajse ka pezulluar edhe aktivitetet e tjera të përditëshme, duket nga meraku se duke qenë jashtë axhendës së tij, mos ato ia marin për karshillik ndaj Presidentit të Republikës që u kërkoi edhe ndihmë në fillim të javës, për të mbushur bulevardin.Përtej heshtjes së detyrueshme të Sali Berishës, Kryetari i PD Lulzim Basha bën sikur nuk e ka mendjen, duke iu rikthyer axhendës së nisur pak kohë më parë, për të takuar njerëz të ndryshëm në qytet, e për të vijuar tu thotë se “po ju dëgjoj”. Një qëndrim zyrtar i paralajmëruar, ende nuk është bërë nga selia blu, e cila edhe në ndodhtë në orët e ditët në vijim, me siguri që do të jetë një qëndrim “as mish e as peshk”, të cilën PD mund ta mbante edhe përpara, por edhe pas 2 marsit.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama shkroi se “tamam kur Shqipërisë i’u bë një deklaratë publike dashurie nga BE dhe nga bota mbarë në 17 shkurt, ata u marrosën… Mos humbim kohë me ta, janë të dënuar të përpëliten në zjarrin e urrejtjes së tyre e të çirren gjithnjë e më fort kundër nesh!”.Në këtë situatë, indiferenca e mazhorancës e cila vijon me axhendën e saj të punëve publike në terren dhe përgatitjet për kongresin e javës së ardhshme, e bën të duket gjithmonë edhe më e madhe distanca e pjesës tjetër të opozitës, nga Ilir Meta dhe LSI.Përveç arësyeve të konkurencës se brendshme opozitare dhe rivalitetit të natyrshëm mes Lulzim Bashës dhe Ilir Metës për lidershipin e së djathtës përballë PS dhe Edi Ramës, ka edhe disa arësye të tjera, që duket se e kanë vulosur distancimin politik të PD dhe aleatëve të tyre tradicionalë, ndaj aksionit të ri Presidencial.E para, sa më shumë kohë kalon, aq më tepër po kuptohet nga të gjithë se lëvizja e re e Ilir Metës, nuk ka të bëjë me alibitë që ai është munduar të përdorë në emër të; “grushtit të shtetit”, “kushtetutës”, “grupeve të brendshme armiqësore në bashkëpunim me armikun e jashtëm kundër Shqipërisë”. Duke forcuar gjithnjë e më tepër bindjen, se e gjitha kjo fsheh në thelb, nisjen e një lëvizje të re politike në opozitë, pasi me shumë gjasë në javët e ardhshme, Parlamenti do ta shkarkojë Presidentin e Republikës.E dyta, kjo lëvizje e re politike e Ilir Metës pritet që natyrshëm të “gërshetohet” me LSI dhe të harmonizohet në vijimësi me të, duke u bërë një kërcënim më shumë për pozitat e vetë PD në opozitë, sesa të PS dhe Edi Ramës në mazhorancë. E gjitha kjo, po të kemi parasysh se si levizja e re e Ilir Metës, si LSI në sytë e elektoratit tani nuk ka më asnjë dallim nga PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Por, rikthimi i Metës në fushën e politikës aktive, e bën lëvizjen e tij një pol shumë më energjik nga pikëpamja elektorale, sesa thjeshtë dhe vetëm partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi.E treta dhe kryesorja, lëvizja e re politike e Ilir Metës, me apo pa LSI, ngado që të rrotullohet do të jetë në fund të fundit një formacion politik i majtë. Si e tillë, duke qenë se mazhoranca qeverisëse është e majtë, ti shtosh asaj përballë edhe zënien e hapësirës opozitare përsëri nga një forcë tjetër politike e majtë, kjo e rrezikon të ardhmen e afërt jo thjeshtë dhe vetëm PD në vetëvete. Mbi të gjithë, lëvizja e re politike e Ilir Metës, rrezikon që të ngushtojë, ti bëjë presion, të kërcënojë e më pas të rrezikojë për ta asgjesuar nga skena e madhe politike e vendit, vetë të djathtën shqipare. Ajo rrezikon realisht, qoftë të djathtën e re antikomuniste të kapitalizmit të ri shqiptar, të përfaqësuar në këto 30 vitet e pas rrëzimit të Murit të Berlinit, nga PD. Por edhe hapësirën e të djathtës tradiocionale e historike, të përfaqësuar nga LZHK e Dashamir Shehit, ballistët, legalistët, etj.

Këto dhe disa arësye të tjera të brendshme, bëjnë që opozita e vjetër (e 2013) të duket sikur po distanciohet gjithnjë e më tepër nga sipërmarrja e re politike e Ilir Metës. Ndaj edhe LSI, është e vetmja që deri më tani, i është atashuar hapur dhe me entuziazëm thirrjes së (ish) Kryetarit të saj, për të dalë në shesh më 2 mars. (Alpenews.al)