Nga Alfred Peza

Sa më shumë i afrohemi padites së 2 marsit, kur të nisë në Tiranë “besëlidhja e madhe e shqiptarëve” me Ilir Metën, aq më shumë shtohet heshtja e SHQUP, në përpjestim të zhdrejtë kjo, me ethet politike të temperaturave të shtuara në oborrin e LSI.

Selia e Partisë Demokratike me këtë rast, pothuajse ka pezulluar edhe aktivitetet e tjera të përditëshme, duket nga meraku se duke qenë jashtë axhendës së tij, mos ato ia marin për karshillik ndaj Presidentit të Republikës që u kërkoi edhe ndihmë në fillim të javës, për të mbushur bulevardin.

Përtej heshtjes së detyrueshme të Sali Berishës, Kryetari i PD Lulzim Basha bën sikur nuk e ka mendjen, duke iu rikthyer axhendës së nisur pak kohë më parë, për të takuar njerëz të ndryshëm në qytet, e për të vijuar tu thotë se “po ju dëgjoj”. Një qëndrim zyrtar i paralajmëruar, ende nuk është bërë nga selia blu, e cila edhe në ndodhtë në orët e ditët në vijim, me siguri që do të jetë një qëndrim “as mish e as peshk”, të cilën PD mund ta mbante edhe përpara, por edhe pas 2 marsit.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama shkroi se “tamam kur Shqipërisë i’u bë një deklaratë publike dashurie nga BE dhe nga bota mbarë në 17 shkurt, ata u marrosën… Mos humbim kohë me ta, janë të dënuar të përpëliten në zjarrin e urrejtjes së tyre e të çirren gjithnjë e më fort kundër nesh!”.

Në këtë situatë, indiferenca e mazhorancës e cila vijon me axhendën e saj të punëve publike në terren dhe përgatitjet për kongresin e javës së ardhshme, e bën të duket gjithmonë edhe më e madhe distanca e pjesës tjetër të opozitës, nga Ilir Meta dhe LSI.

Përveç arësyeve të konkurencës se brendshme opozitare dhe rivalitetit të natyrshëm mes Lulzim Bashës dhe Ilir Metës për lidershipin e së djathtës përballë PS dhe Edi Ramës, ka edhe disa arësye të tjera, që duket se e kanë vulosur distancimin politik të PD dhe aleatëve të tyre tradicionalë, ndaj aksionit të ri Presidencial.

E para, sa më shumë kohë kalon, aq më tepër po kuptohet nga të gjithë se lëvizja e re e Ilir Metës, nuk ka të bëjë me alibitë që ai është munduar të përdorë në emër të; “grushtit të shtetit”, “kushtetutës”, “grupeve të brendshme armiqësore në bashkëpunim me armikun e jashtëm kundër Shqipërisë”. Duke forcuar gjithnjë e më tepër bindjen, se e gjitha kjo fsheh në thelb, nisjen e një lëvizje të re politike në opozitë, pasi me shumë gjasë në javët e ardhshme, Parlamenti do ta shkarkojë Presidentin e Republikës.

E dyta, kjo lëvizje e re politike e Ilir Metës pritet që natyrshëm të “gërshetohet” me LSI dhe të harmonizohet në vijimësi me të, duke u bërë një kërcënim më shumë për pozitat e vetë PD në opozitë, sesa të PS dhe Edi Ramës në mazhorancë. E gjitha kjo, po të kemi parasysh se si levizja e re e Ilir Metës, si LSI në sytë e elektoratit tani nuk ka më asnjë dallim nga PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Por, rikthimi i Metës në fushën e politikës aktive, e bën lëvizjen e tij një pol shumë më energjik nga pikëpamja elektorale, sesa thjeshtë dhe vetëm partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi.

E treta dhe kryesorja, lëvizja e re politike e Ilir Metës, me apo pa LSI, ngado që të rrotullohet do të jetë në fund të fundit një formacion politik i majtë. Si e tillë, duke qenë se mazhoranca qeverisëse është e majtë, ti shtosh asaj përballë edhe zënien e hapësirës opozitare përsëri nga një forcë tjetër politike e majtë, kjo e rrezikon të ardhmen e afërt jo thjeshtë dhe vetëm PD në vetëvete. Mbi të gjithë, lëvizja e re politike e Ilir Metës, rrezikon që të ngushtojë, ti bëjë presion, të kërcënojë e më pas të rrezikojë për ta asgjesuar nga skena e madhe politike e vendit, vetë të djathtën shqipare. Ajo rrezikon realisht, qoftë të djathtën e re antikomuniste të kapitalizmit të ri shqiptar, të përfaqësuar në këto 30 vitet e pas rrëzimit të Murit të Berlinit, nga PD. Por edhe hapësirën e të djathtës tradiocionale e historike, të përfaqësuar nga LZHK e Dashamir Shehit, ballistët, legalistët, etj.

Këto dhe disa arësye të tjera të brendshme, bëjnë që opozita e vjetër (e 2013) të duket sikur po distanciohet gjithnjë e më tepër nga sipërmarrja e re politike e Ilir Metës. Ndaj edhe LSI, është e vetmja që deri më tani, i është atashuar hapur dhe me entuziazëm thirrjes së (ish) Kryetarit të saj, për të dalë në shesh më 2 mars. Alpenews