Dashuria nuk ka ditë, nuk ka datë e as kohë dhe mbrëmja e sotme i kushtohet pikërisht ‘dashurisë për muzikën italiane’ me një koncert në zonën e ish-bllokut. Këngët e disa prej emrave të mëdhenj të muzikës italiane si Adriano Celentanos, Lucio Battistit, Eros Ramazzottit, Vasco Rossit do të vijnë në një koncert live nga Rovena Dilo, Renis Gjoka, Eranda Libohova dhe Lorenc Hasrama. Koncerti ‘Note d’amore italiana’ do të mbahet në orën 20:00 dhe është organizuar nga Bashkia Tiranë.
Kryebashkiaku Erion Veliaj priti në një takim artistët që do të ngjiten në skenë, ndërsa shtoi se Tirana ka nevojë për energji pozitive dhe dashuri. Veliaj tha se do të jetë prezent në koncert së bashku me familjen e tij.
“Do të kemi një fundjavë fantastike në Tiranë. E fillojmë sot në orën 20:00 në ish-Bllok me një koncert të titulluar ‘Note d’amore italiana’. Jemi lidhur me muzikën, me stilin, me pasionin që na vjen nga Italia, dhe kemi zgjedhur këtë temë për të festuar bashkë me miqtë italianë që janë në Tiranë, dhe sigurisht me çunat dhe gocat e Tiranës, me këngëtaret më të mira dhe këngëtarët më të mirë. Do të kalojmë bukur sot. Ka qenë një ditë plot diell në Tiranë dhe s’ka asnjë arsye pse mos ta mbyllim me energji të mirë në darkë. Ju presim të gjithëve në orën 20:00 në ish-Bllok. Unë do jem aty bashkë me familjen time, sepse besoj që ky qytet ka nevojë për energji pozitive, për mirësi dhe dashuri”, theksoi Veliaj.
Dy këngëtaret Rovena Dilo dhe Eranda Libohova, që iu bashkuan nismës, thanë se dashuria është gjuha universale, ndërsa ftojnë qytetarët të jenë prezent në koncert.
“Sot është 15 shkurt, por ditë dashurie janë të gjitha ditët e vitit. Pra, nuk ka rëndësi nëse e bëmë dje, e bëmë sot, “Note d’amore italiana” mund të jetë “Note d’amore albanese”, angleze, gjithçka. Ne me këngë do t’ju urojmë dhe t’ju dëshirojmë të jeni gjithmonë të dashuruar edhe në ditën e sotme, dhe nesër, dhe gjithë vitin. Mirëardhshit sot në orën 20:00”, tha Rovena Dilo.
“Dashuria është gjuha universale, kështu që ju presim atje sot. Kemi zgjedhur repertor shumë të bukur italian, ndaj do kënaqeni”, tha Libohova.