Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se Rusia po bën shumë për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale ambasadorëve të rinj në Rusi, Putin kujtoi, “takimin kuptimplotë” siç e quajti ai, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që zhvilloi në fund të vitit të kaluar në Soçi. “Janë arritur një numër marrëveshjesh për bashkëpunimin ruso-serb në fushat e ekonomisë, tregtisë, energjisë, kulturës dhe për koordinimin në çështjet rajonale,” tha Putin sot, në Kremlin.

Rusia dhe Serbia janë të lidhura nga një partneritet strategjik, që mbështetet në traditën e miqësisë, afërsisë kulturore, shpirtërore dhe historike të njerëzve, tha Putin, duke shtuar se Rusia “po bën shumë për ta mbajtur situatën në Ballkan të qëndrueshme dhe të sigurt”. “Ne jemi të përkushtuar në arritjen e një zgjidhjeje për problemin e Kosovës, që do të jetë funksionalisht dhe reciprokisht e pranueshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha presidenti rus. Në ceremoninë që u mbajt në Moskë, 23 ambasadorë dorëzuan letrat kerdenciale, transmeton Ora News.