Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë një urim të veçantë për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Balla ka uruar udhëheqësit e VV dhe LDK që bënë të mundur që 2 Shkurti 2020 ta gjejë Kosovën me një marrëveshje kuptimplotë për Qeverinë e Re dhe vijimin e menjëhershëm të punës në rrugën e integrimeve europiane.

Gjithashtu Balla ka postuar dhe një video të veçantë të 30 viteve më parë më 2 shkurt 1990 ku shihet profesorit Anton Çeta me qindra profesorë, studentë, aktivistë, njerëz të artit e kulturës që mblidhnin në fusha e sheshe të mëdha popullin në çdo cep të Kosovës për të pajtuar ata që ishin në gjak mes tyre, për tu bërë miq e vëllezër.

Në videon e postuar nga Balla në mes burrave në shesh spikat heroi kombëtar Adem Jashari.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Sot 30 vite më parë, më 2 shkurt 1990, me nismën e profesorit Anton Çeta dhe të studentëve të Universitetit të Prishtinës, nisi në Kosovë aksioni i madh i pajtimit të gjaqeve. Me në krye Anton Çetën, qindra profesorë, studentë, aktivistë, njerëz të artit e kulturës mblidhnin në fusha e sheshe të mëdha popullin në çdo cep të Kosovës për të pajtuar ata që deri dje ishin në gjak mes tyre, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin. Ndiqni në këtë video fjalët e mençura të Anton Çetës që 30 vite më parë fliste për integrimin e Kosovës në familjen evropiane, ku mes burrave në shesh spikat heroi kombëtar Adem Jashari.

Urime udhëheqësve të VV dhe LDK që bënë të mundur që 2 Shkurti 2020 ta gjejë Kosovën me një marrëveshje kuptimplotë për Qeverinë e Re dhe vijimin e menjëhershëm të punës në rrugën e integrimeve europiane.