Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manasatirliu kanë parë nga afër rehabilitimin e plotë të Qendrës Shëndetësore në Ndroq, pjesë e prograimit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Ministrja Manastirliu është shprehur se kjo qëndër do tju shërbejë me standarte bashkëkohore 10 mijë banorëve dhe falë programit të rehabilitimit janë 180 Qendra Shëndetësore të rikonstruktuara, duke rikthyer vëmendjen te forcimi i kujdesit parësor.
“Qendra shëndetësore e Ndroqit është qendra e 40 e kujdesit shëndetësor parësor që rehabilitohet në këto dy vite në qarkun e Tiranës. Janë 180 qendra shëndetësore dhe ambulanca që u rehabilituan falë programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në këto dy vite dhe 120 qendra të tjera shëndetësore dhe ambulanca, do t’i nënshtrohen rehabilitimit në vitin 2020”, tha Manastirliu. Në qendrën shëndetësore të Ndroqit kanë qenë të pranishëm edhe një grup mjekësh të sapopunësuar në Ndroq dhe në qendrat e tjera shëndetësore të Tiranës, nëpërmejt portalit “Mjekë për Shqipërinë”. “Nuk e mendoja që pas diplomimit, menjëherë do të mund të punësohesha, aq më tepër në Tiranë. Procesi ishte shumë transparent”, u shpreh një nga mjeket e reja.
Vetëm për muajin Janar dhe Shkurt janë më shumë se 140 mjekë të punësuar në spitale dhe qendra shëndetësore, duke përfshirë edhe mjekët specialistë që janë emëruar sipas kontratës me MSHMS në spitalet rajonale, aty ku ishin nevojat për mjekë. Ministrja e Shëndetësisë deklaroi në qendrën shëndetësore të rehabilituar të Ndroqit, se, me revolucionin digjital, janë më shumë se 59 mijë qytetarë që vetëm nga Janari e deri tani, nuk kanë patur nevojë të paraqiten në sportele për të rinovuar kartën e shëndetit.