Në përfundim të mbledhjes së tryezës me ekspertët për Reformën Zgjedhore, përfaqësuesi politik i PS-së, Damian Gjiknuri në një prononcim tha se palët janë në frymën e bashkëpunimit.
Gjiknuri : Vazhdon puna e grupit, për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. Morëm disa propozime sot nga Partia Demokratike për çështjen e kuotave gjinore apo edhe për çështjen e adresimit të disa problematikave që ata duan që të përfshihen në legjislacionin zgjedhor, qoftë në Kod apo në ligje të tjera. Ato lidhen me rolin e Policisë së Shtetit dhe me parandalimin e krimeve zgjedhore. Është një dokument pune, jemi duke diskutuar ndaj unë nuk kam ndonjë gjë të veçantë për të thënë. Gjithmonë jemi në frymën për të gjetur bashkëpunimin dhe natyrisht për të reflektuar ato gjëra që bëjnë sens, janë të arsyeshme dhe arrijnë standarde konkrete. Jo të bëjmë çdolloj kërkese politike e cila nuk është se mund të bëjë sens apo të mund të realizojë diçka për të përmirësuar standardet zgjedhore.
Pyetje: Z.Gjiknuri, pak më herët kryetari i PD tha se pjesë e zgjidhjes së krizës duhet të jetë dhe rishikimi i ndarjes territoriale. A është e gatshme mazhoranca ta shohë edhe këtë çështje? Gjiknuri : Nuk është mandati im, as i Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe as i këtij grupi për të adresuar çështje kushtetuese, territoriale apo çështje të tjera që nuk kanë të bëjnë me legjislacionin zgjedhor. Pra, kërkesat e natyrës politike qoftë dhe qeveri teknike apo gjëra të tilla, që janë kërkesa politike e të përsëritura shpesh nuk kanë lidhje me punën tonë.
Pyetje: Po për propozimin e PD referuar sanksionimit të hetimit të krimeve zgjedhore nga SPAK, a keni një qëndrim z.Gjiknuri? Gjiknuri : Këto janë gjëra që duhet ti shikojmë. Pra, korrupsioni zgjedhor është një vepër penale e parashikuar dhe aktualisht në legjislacionin penal që është ndryshuar në vitin 2017. Është një propozim që duhet ta shikojmë, të konsultohemi me ekspertët dhe me prokurorinë apo institucionet përkatëse. Është një gjë që duhet zgjidhur gjithmonë në frymën e kompromisit. Nuk kam një propozim paraprak sepse vetëm sot u njohëm me dokumentin dhe do marrim kohën e nevojshme për të punuar.
Pyetje: Z.Gjiknuri a u diskutua qoftë dhe në parim ndoshta qeveria tranzitore? Gjiknuri : Jua thashë. Nuk është në mandatin e këtij grupi pune dhe këtij komisioni. Ato gjëra që nuk janë arritur me “luftë” në rrugë nuk mund ti marrësh në tavolinën e negociatave. Nuk ka sens të diskutohet kjo gjë në këtë tavolinë. Është një çështje e natyrës politike për të cilën Partia Demokratike ka qasjen e saj por mazhoranca e ka bërë të qartë. Qeveria është kushtetuese, qeveritë teknike nuk janë të dobishme për popullin. Qeveritë janë për të qeverisur vendin dhe ligji zgjedhor është për të garantuar një proces të rregullt e të barabartë mes palëve.