Shumë i ri dhe me një të ardhme përpara, me shumë mundësi fituese. Julian Nagelsmann vazhdon të befasojë të gjithë në Gjermani, ku ka qenë arkitekti i përrallës Hoffenheim, prej ku u largua në 2019-ën për t’u transferuar te Leipzig, gjiganti i ri i futbollit gjerman. 32-vjeçari Nagelsmann drejton ekipin që po rivalizon kampionët e Bayern Munich dhe ëndërron të fitojë Bundesliga-n e parë në historinë e klubit. Puna e mirë e djaloshit nga Landsberg është vënë re edhe nga Real Madrid, që ka provuar ta marrë në 2018-ën pas dorëheqjes së Zidane.

Naglesmann ka thënë “jo” në atë kohë, por tani i ka lënë derën hapur klubeve të mëdha, duke filluar nga ata që luajnë në kampionatin anglez. “Nëse Real Madrid të telefonon, mendohesh. Në fillim jam befasuar, e kam vlerësuar, por nuk jam ndier gati për të shkuar”, ka thënë trajneri për The Independent. “Unë dua të përmirësohem. Te Real-i nuk ka kohë për t’u përmirësuar si trajner, duhet të jesh më i mirë se të tjerët që në fillim”.

“Dua të bëhem një nga më të mirët në të ardhmen. Dua të fitoj gjithmonë, të fitoj trofe dhe Champions. Nuk është e lehtë të planifikosh një karrierë si trajner, sepse futbolli është i paparashikueshëm, por duhet ta provosh”. “Gjëja e rëndësishme është të bësh hapat e duhur. Real ishte një nga hapat më të mëdha që mund të bëja dhe kam menduar: ‘Je 31 vjeç, po shkove te Real-i, ku do të shkosh më pas?'”. Trajneri ka thënë “jo” për një arsye tjetër: “Gjuha është e rëndësishme. Më pëlqen të komunikoj me lojtarët. Nuk di të flas spanjisht, mund të them vetë ‘Përshëndetje, si je?’. Do të kishte qenë një hap i madh për mua, por jo ai i duhuri”.

Në verën e 2019-ës, Nagelsmann mori drejtin e Leipzig me të cilën po ndjek një ëndërr me emrin Bundesliga: nëse do t’ia dalë, vlera e tij si trajjer do të rritej ndjeshëm dhe kalimi te një skuadër e madhe do të ishte më i lehtë për t’u hedhur për Nagelsmann, i cili ëndërron Premier League. “Dua të qëndroj te Leipzig për katër vite, edhe pse në futboll nuk dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë. Premier më intereson, ashtu si klube të tjerë në La Liga. E di se është shumë e vështirë të bësh trajnerin në Angli”. “Kam dëgjuar fjalët e Klopp dhe Guardiola-s mbi programin e ngjeshur të ndeshjeve. Në Premier nuk ka kohë për asgjë tjetër. Ndjek nga afër disa klube, Premier është një objektiv për çdo trajner”, ka thënë Nagelsmann.