Analizë nga Krislen Keri, Drejtor Ekzekutiv- Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar

Aeroporti jonë i vetëm ndërkombëtar edhe këtë vit ka pasur rritje të volumit të trafikut të pasagjerëve në masën 3,338,149 ose 13.3% më shumë se viti 2018.Rritja e vitit 2019 është shtyrë kryesisht nga kategoria e fluturimeve të programuara (scheduled) e cila u rrit me 13.8% krahasuar me 2018-ën. Kategoria e fluturimeve charter këtë vit pati një rritje vetëm 8.3% nga 2018, krahasuar kjo me 66.7% rritje nga viti në vit 2017-2018.

Ndër arsyet kryesore që lidhen me rënien e rendimentit të rritjes në kategorinë charter, lidhet me problematikën përgjatë 2019 të industrisë së aviacionit global me modelin e avionit B737 Max. Pezullimi i operimit të tij shtyu shumë kompani t’i drejtoheshin kompanive charter për mbulimin e nevojave të tyre, ç’ka solli prioritarizimin në plan të dytë të nevojave të agjencive turistike për charter përgjatë gjithë vitit. Sezonaliteti i fluksit të fluturimeve në Aeroportin “Nënë Tereza” është i dukshëm, ku nga paraqitja grafike e fluksit të pasagjerëve mujor, për 3 vitet e fundit, vërehet qartë një sezonalitet në muajt Qershor-Shtator, sikurse gjatë dimrit, spikat muaji Dhjetor.

Nëse do të vendosnim një indikator të sezonalitetit për muajt me mbi 250 mijë pasagjerë për muaj, këto dy vitet e fundit mund të vërejmë, se sezonaliteti është zgjatur duke përfshirë edhe muajin Maj dhe Tetor. Ky është një indikator pozitiv, se vendi po shkon drejt një sezoni më të gjatë turistik, nga 4 në 6 muaj.

Viti 2019 ka qenë një vit dinamik sa i përket hyrjeve dhe daljeve të kompanive ajrore nga tregu shqiptar i fluturimeve. Kështu, në muajin Mars 2019 filloi operimin kompania flamur-mbajtëse shqiptare “Air Albania”, e cila e mbylli vitin 2019 me 125,072 pasagjerë. Dy kompani të tjera të reja në tregun shqiptar, vitin që lamë pas, ishin zvicerania “Edelweiss” dhe kompania evropiane me kosto të ulët “EasyJet”.

Nga kompanitë ekzistuese në tregun shqiptar, nga ato me rritjen më të madhe mund të veçojmë kompanitë “Lufthansa”, “Transavia” dhe kompaninë evropiane me kosto të ulët “WizzAir”, me 67.34, 43.8 dhe 123.35% rritje përkatësisht. Por përgjatë vitit 2019 pati edhe 4 kompani të larguara nga tregu shqiptar. Ndërkohë që kompanitë italiane “Volotea” dhe “Mistral Air”, të cilat operonin pak fluturime për/nga TIA, vendosën mos të fluturonin më në tregun tonë, të tjerave si “Adria Airways” dhe kompania “Fly Ernest”, ju pezullua licenca e operimit ajror nga autoritetet kompetente kombëtare sllovene dhe italiane, rrjedhimisht duke çuar në daljen e tyre nga tregu shqiptar. Gjithashtu, që prej Marsit 2019, pasagjerët shqiptar nuk mund të shohin më logon e kompanisë “Turkish Airlines” të operojë në TIA, pasi kjo kompani është tashmë zotëruese e 49% të kompanisë flamur-mbajtëse “Air Albania”, e cila i shërben edhe linjës historike Tiranë-Stamboll-Tiranë. Numri i destinacioneve nga/për Tiranë është rritur, duke shtuar në 59 vitin që lamë pas, nga 52 në vitin 2018 dhe 45 në vitin 2017. 10 destinacione më popullore nga/për TIA janë 5 qytete italiane, si edhe Stambolli, Londra, Frankfurti dhe Athina. Milano vijon të mbetet destinacioni kryesor nga/për TIA, i cili shërbehet nga dy aeroportet e tij Malpensa dhe Bergamo. Në këtë linjë përgjatë 2019 operuan plot 5 operatorë nga Air Albania, Albawings, Blue Panorama, Fly Ernest dhe së fundmi kompania me kosto të ulët EasyJet. Me largimin nga tregu të kompanisë Fly Ernest, kompania me kosto të ulët WizzAir lajmëroi fillimin e fluturimeve për/nga 5 destinacione midis Italisë dhe TIAs.

Roma si destinacion duket se po vjen drejt konsolidimit në nivelin 300-350 mijë pasagjerë në vit nga/për TIA. Gjithashtu destinacioni i Stambollit është i konsoliduar në nivelin e 250 mijë pasagjerëve në vit. Destinacioni Viena duket një tjetër destinacion i konsoliduar tek 200 mijë pasagjerë në vit, por futja e kompanisë WizzAir në Nëntor 2018 në këtë treg, pritet të rrisë ndjeshëm numrin e pasagjerëve midis dy vendeve. Për t’u rikthyer tek destinacionet italiane, ndërkohë që Verona duket se do të konsolidohet tek niveli i 150 mijë pasagjerëve, destinacionet Pisa dhe Bologna duken me interes tek shohim trendin e rritjes me përkatësisht 15 dhe 25 mijë pasagjerë, rritje në vit për dy vitet e fundit. Tregu shqiptar i aviacionit civil është një treg interesant dhe tepër dinamik, karakteristike për të cilin ka qenë monopoli i aeroportit të vetëm ndërkombëtar TIA, struktura çmimeve për të cilin kanë shërbyer si një barrierë për futjen e kompanive ajrore me kosto të ulët. Rrjedhimisht në 15 vite të kontratës koncensionare, tregu shqiptar nuk pati mundësi të përfitonte nga hyrja e kompanive me kosto-të ulët.

Por, që prej negocimit të marrëveshjes koncensionare të TIA, për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare në Rinas, i është hapur rruga zhvillimit të dy aeroporteve të reja në vend, të Kukësit dhe të Vlorës. Pavarësisht se këtë dy aeroporte janë ende në fazë zhvillimi, efektet e marrëveshjes së arritur midis qeverisë dhe konçensionarit në 2016 si dhe strategjia kombëtare për zhvillimin e turizmit kanë filluar të japin efekt tek përdoruesit e aeroportit dhe vetë aeroportit. Marrëveshja e 2016 ka qenë një tregues i qartë i angazhimit qeveritar për zhvillimin e mëtejshëm të aviacionit civil shqiptar dhe hapjes së tregut. Kështu, për herë të parë kemi parë kompani me kosto të ulët të hyjnë në tregun tonë, si një iniciativë e tyre për të përfituar paraprakisht nga ky liberalizim, përpara se tregu shqiptar dhe kompanitë brenda tij të konsolidohen përfundimisht. Në varësi të ecurisë dhe zhvillimeve të reja, presim të shohim këto kompani të krijojnë bazat e tyre në Tiranë apo më vonë në aeroportet e reja. Kjo do të sillte edhe konsolidimin përfundimtar duke bërë që kompanitë të shtonin kapacitetin e tyre me kosto të ulët dhe të konkurronin mbi bazë çmimesh.