Me kërkesë të banorëve dhe për shkak të domosdoshmërisë që paraqitej, bashkia e Elbasanit nisi investimin në rrugët dhe hapësirat publike në bllokun e pallateve 108. Prej shumë vitesh në këtë zonë nuk ishte vënë dorë dhe ndërhyrja ishte e domosdoshme, ndërkohë që nga ky investim përfitojnë drejtpërdrejtë rreth 1200 banorë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja inspektuan sot ecurinë e punimeve duke marrë edhe mendimin e banorëve për cilësinë dhe korrektësinë e kompanisë zbatuese.
Në fjalën e tij, Balla kërkoi mirëkuptimin e banorëve për lirimin e hapësirave publike, pasi bëhen pengesë për të gjithë komunitetin. “Procesi i rivitalizimit urban të Elbasanit ka hyrë tashmë në një fazë të re ku ne vijojmë punën intensivisht që çdo lagje e Elbasanit. Në çdo cep po investohet për rrjetin e ujësjellësit në mënyrë që të mund të garantojmë ujë cilësor dhe në 24 orë për çdo banor”, tha Balla. Por, shtoi ai, “investimet në ujësjellës shoqërohen edhe me rikualifimin urban, siç është investimi në këtë bllok pallatesh, investim i cili parashikon shtrimin e rrugëve dhe trotuaret”.
“Kam një apel për të gjithë banorët e Elbasanit të bashkëpunojnë për të liruar hapësirat publike të zëna me pa të drejtë”, deklaroi Balla. Nga ana e tij, Llatja tha se punimet po bëhen të plota duke nisur që nga kanalizimet e deri tek sistemi i ndriçimit e gjelbërimi.