40 mijë aplikime online në platformën “Shtëpia ime”, janë kryer deri tani, në paraditen e datës 28 shkurt, që është afati i fundit i aplikimeve për të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme në banesa nga tërmeti i 26 nëntorit. Ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj tha se, “sot që jemi në ditën e fundit të aplikimit për Programin e Rindërtimit janë shënuar 40 mijë aplikime”. “Procesi i aplikimit, theksoi ai, do të vazhdojnë edhe gjatë gjithë ditës së sotme, ndërsa të dielën ne kemi planifikuar një takim me përfaqësuesit e bashkive, për t’i përgatitur për fazën e dytë që është faza e vlerësimit”, tha Ahmetaj gjatë konferencës në Kryeministri sot ku u prezantuan projektet për Programin e Rindërtimit.
Ahmetaj informoi se, “data 28 shkurt nuk është afat ligjor, por është afat procedurial i vendosur nga qeveria, në mënyrë që bashkitë si përgjegjëse për këtë proces të ecnin me ritmin e duhur, në mënyrë që institucionet në nivel qendror të planifikojnë saktë çfarë profilesh dhe ku, do të ndërtohen shtëpitë, për qytetarët shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar nag tërmeti” .