Këshilli i Ministrave ka vendosur, në mbledhjen e radhës, që të gjithë individët dhe personat juridikë, të cilët kanë në proces regjistrimi pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (në vijim, ASHK), përshirë edhe lejet e legalizimit, apo do të aplikojnë për regjistrimin e tyre brenda datës 30 shtator 2020, kanë të drejtë që, brenda këtij afati, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Deri tani, mund të përfitonin nga rivlerësimi vetëm pronat që ishin të regjistruara më parë.
Sipas Vendimit, personi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Kadastra apo një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3 % e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit.
Në rast se individi ka aplikuar apo do të aplikojë, brenda datës 30.9.2020, për të regjistruar më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive. Individi ose përfaqësuesi i tij mund të aplikojë on-line për shërbimin e rivlerësimit të pasurisë në proces regjistrimi, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania. Nga ky vendim i Këshillit të Ministrave do të përfitojnë edhe ndërmarrjet. Tarifa për kryerjen e shërbimit të rivlerësimit pranë ASHK-së për pasuritë e paluajtshme në proces regjistrimi është në masën një mijë e dyqind lekë.