Nga Ardit Rada/
Ilir Meta i ka dhënë nuance romantike thirrjes së dytë të tij për tubim mbarëpopullor duke e cilësuar si besëlidhje. Pas anulimit të 8 Dhjetorit për shkak të tërmetit, Presidenti i ka hedhur sërish sytë nga bulevardi i Tiranës me shpresën se do ta mbushë këtë 2 mars që po vjen. Kush ka menduar se Ilir Meta po e ‘shkarkon’ Lulzim Bashën si kryetar opozitë dhe po i merr atij protagonizmin, gabon rëndë. Në fakt, kreu në ikje i shtetit po i jep një dorë Bashës dhe të shoqes, duke qenë se këta dy të fundit përjetuan dështimin më spektakolar me protestat e tyre herë me hunj, herë me zjarr, herë me marrje mendsh duke i rënë rrotull zyrës së Ramës dhe herë me himne.
Sot Ilir Meta nuk surprizon më askënd, e aq më pak të frymëzojë popullin për besëlidhje me të. Ai ka treguar se është palë qysh prej ditës kur shkeli në Presidencë, edhe pse e shoqja i ka hedhur në publik disa sfida të llojit: Eja garo përballë meje për kreun e LSI. Apo: Ilir Meta duhet shkarkuar një orë e më parë. Pra në thelb, sot kërkojnë besën nga populli të cilit i kanë servirur anektoda prej kohësh. Por pavarësisht panoramës të njohur tashmë, duhet zgjidhur dilema: A mundet që pretendenti si përfaqësues i unitetit të thërrasë një miting kundër mazhorancës qeverisëse? Sigurisht që po, por ka një kusht: Dorëheqja nga posti i Presidentit!
Ilir Meta është i lirë që të drejtojë tubime kundër qeverisë, madje të kthehet edhe në naftëtar sindikalist, por pasi të ketë ikur nga zyra që po mban peng në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Në të kundërt, bashkimi në protestë i postit të tij me opozitën e së shoqes dhe të Berishës, s’është asgjë më pak sesa një grusht shteti. E thënë ndryshe, Ilir Meta ka bërë thirrje sot për të rrethuar godinat qeveritare në bulevard, përveç të tijës.
Dilema e dytë lidhet me hakërrimet e tij për ta shpërndarë Kuvendin. E gjithë fabula nuk ka asnjë diskutim që është stisur me opozitën e bërë pishman për djegien e mandateve. Por pyetja shtrohet: A del kështu Presidenti dhe PD-LSI kundër ndërkombëtarëve? Përgjigjen e kanë dhënë këto të fundit, qëkurse e kanë cilësuar përbërjen aktuale të Parlamentit si legjitim dhe mëse funksional.
Tentativa për ta shpërndarë Kuvendin mund të çojë ujë në mullirin e Ilir Metës dhe doktorit, por ajo bie ndesh me faktin se nuk mund të ketë zgjedhje pa kryer reformën zgjedhore. Pa folur më pas për forcën dhe tagrin, nëse presidenti e shpërndan dot organin i cili zgjedh atë vetë.
Kërcënimet nga Ilir Meta mbeten qesharake edhe këtë herë. E vetmja gjë që duhet marrë seriozisht është gjuha e shthurur me të cilën bën ftesë për besëlidhje. Kjo po që tregon shumë se kush është me letra kreu i këtij shteti dhe në çfarë dëshpërimi të thellë ka rënë. Për mendt e doktorit!