Cristiano Ronaldo u mbush 35 vjeç dje. Por, midis një goli dhe një tjetri me fanellën e Juventusit, ai duket një dekadë më pak. Edhe ai vetë, me siguri nuk ka pritur të qëndronte në nivele kaq të larta, në një moshë të tillë (futbolli). Ja fjalët e tij për “Canal 11”, transmetuesin televiziv portugez. Aty do të kuptoni se as vetë Ronaldo nuk e kishte parashikuar një qëndrim kaq të gjatë në majë: “Ku e imagjinoja veten në moshën 35-vjeçare? Duke peshkuar në Madeira… Asnjëherë nuk më shkonte mendja se do të luaja atje ku kam luajtur tashmë dhe të fitoj atë që kam fituar”.
Në vend të kësaj, Ronaldo është simboli i Juventusit, që synon titullin e nëntë radhazi të Serie A dhe, më në fund, shpreson ta përfundojë mallkimin e Champions-it: “Finalja e gjashtë e Ligës së Kampionëve? Të luajturit me Juventusin më jep mundësinë të fitoj përsëri. Ne e dimë se nuk është e lehtë, se do të varet nga disa faktorë, por është e mundur, sepse kemi një ekip të mirë. Duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”.
Ndërkohë, Ronaldo dhe Juventusi po përgatiten për sfidën tjetër, të shtunën në mbrëmje. Skuadra e Sarrit kundër Hellas Verona, një provë e mirë, kundër një kundërshtari, që sapo ka ndalur me barazim Milanin dhe Lazio. Ylli luzitan ka shansin të fitojë një tjetër Champions, të 6-tin në karrierën e tij. Ai deri më tani ka fituar pesë trofe të tillë, katër me Real Madridin dhe një me Manchester United. “7” e Juventusit po shijon një formë të shkëlqyeshme këtë sezon dhe së fundi regjistroi 200 milionë ndjekës në Instagram.