Një tjetër aks i ri në shërbim të zhvillimit bujqësore e rural që lidh fshatrat Kuqan-Bujqës-Jagodinë-Murriqan-Thanë, nga një gropë e zezë po kthehet në një hapësirë turistike dhe agroturistike. Segmenti është i gjatë 7.2 km dhe janë parashikuar trotuaret në aksin e majtë e të djathtë të rrugës. Në këtë projekt është pjesa e kanalit vaditës, pasi zona merret kryesisht me bujqësi, si dhe janë parashikuar ndriçimet. Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deputeti Arben Kamami dhe kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, inspektuan punimet që po kryhen në këtë segment.
“Mirë është që të mos bëhet vetëm shtrati i rrugës por edhe këto anët , se kjo historia që njëri zgjat murin tjetri, zgjat gardhin bëhen aksidente, sjell shqetësime, të bëhet drejtë edhe të ketë trotuar anash për nxënësit, të moshuarit, ata që nuk ecin”, – tha Rama. Deputeti Taulant Balla u shpreh se “vetëm për dy muaj prodhim, janar, shkurt dhe deri në 15 mars prodhohet rreth 2 milionë dollarë lakër që është për eksport, i gjithë prodhimi shkon në vendet përreth në Serbi, Kosovë por edhe në pjesën tjetër të Europës. Nëse ne do të vazhdojmë ta shtrijmë dhe aksesi i rrugës na i lejon këtë ta çojmë më shpejt prodhimin do ta dyfishojmë dhe vitin tjetër shpresojmë që në të njëjtën periudhë dy mujore të jetë dyfish i kësaj vlere eksporti”.
“Është një zonë ku kuptimi banorëve ka qenë shumë i madh për të liruar hapësirat që janë zënë padrejtësisht, por ndërkohë që kemi të qartë që ky investim është vlera më e madhe që ata e kanë kërkuar për 30 vjet. Rruga ka qenë ,por që pas vitit 1992 filloi ajo historia e uzurpimit të rrugës. Kemi bërë edhe rrugën, por kemi arritur të ruajmë edhe kanalin vaditës dhe në të dy anët e rrugës janë serat”,- tha Balla. Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja , tha se “vjet kishim 800 mijë rrënjë lakër brukseli të mbjellë, ndërsa këtë vit që u hap rruga janë mbjellë 2.2 milionë rrënjë në sera. Deri tani ka dalë prodhimi i parë, eksportohet ne Rusi”.
Osmani fermer i serave u shpreh se “kam krijuar një shoqatë bujqësore me 15 persona në këtë zonë”. Kryeministri Rama theksoi se “këtë duhet t’ua thoni të gjithëve që në vend që të ankohen tek e tek, se tek e tek të ngelet pa shitur duhet të dalësh tek rruga kryesore se mos ndalon ndonjë, ne po i heqim dhe do ti heqim tezgat e rrugëve është koha që jo si në kooperativat e dikurshme kur punonin të gjithë dhe i mblidhte vetëm shteti, por këtu të gjithë punojnë secili merr atë që takon. Bashkë për të përcaktuar, çfarë do prodhojmë si do ta prodhojmë, por secili prodhon vetë dhe në shitje të gjithë bashkë, pasi pastaj dalin në demonstrata të pakuptimta të shtyrë nga ata që janë profesionistë demonstratash dhe thonë na la shtetit në baltë. Shteti është për të mbështetur, as për të prodhuar, as për të shitur. Shteti jep ato që ka mundësi të japë ndihmon për të kuptuar më mirë si të qaset tregut , prandaj shoqatat janë A-ja”. Aksi rrugor i shkatërruar pengonte tregtarët të merrnin prodhimet bujqësore, të cilat më pas janë të destinuara kryesisht për eksport.