Ditën e djeshme në Montefiascone, në provincën e Viterbo, Itali, një e re shqiptare e quajtur Aurora Grazi, u gjet e vdekur në shtratin e prindërve. Ndërkohë që pritet autopsia për të zbardhur shkaqet e vdekjes misterioze, kanë dal në pah detaje të reja.Mediat italiane shkruajnë se Aurora, e cila ndiqte vitin e tretë të kontabilitetit në kolegjin “Carlo Alberto Dalla Chiesa”, kishte disa javë që nuk ndihej mirë. Ajo ishte ndarë nga i dashuri, i cili ishte disa vite më i madh, dhe kishte përjetuar sulme të vërteta paniku, kishte rënë në peshë, kishte ankth dhe pagjumësi.

E ëma, duke mos parë shenja rikuperimi, e kishte çuar të premten në spitalin Belcolle në Viterbo. Mjekët e kishin cilësuar situatën e saj si krizë ankthi dhe asgjë më tepër dhe si rrugëzgjidhje kishin caktuar një takim me një neurolog, takim i cili nuk u bë kurrë.Aurora kishte shkuar për të fjetur dhe më pas prindërit e kanë gjetur të pajetë në shtrat. Menjëherë kanë lajmëruar ambulancën por tepër vonë. Nuk dihet ende nëse e reja ka marrë ndonjë substancë apo është goditur nga një sëmundje e papritur, gjithçka pritet të zbulohet pas autopsisë.