Napoli “shërohet”. Skuadra e Gattuso-s arrin fitoren e tretë radhazi në ndeshje zyrtare duke fituar 4-2 në Genova ndaj Sampdorias në ndeshjen që mbylli javën e 22-të të Serisë A. Miqtë morën avantazhin shumë shpejt me polakun Milik që në minutën e 3-të dhe më pas në të 16-tën minutë dyfishoi Elmas. Megjithatë sulmuesi veteran i Sampit Fabio Quagliarella me një gol shumë të bukur ngushtoi diferencën dhe më pas në pjesën e dytë Gabbiadini barazoi me penallti duke i dërguar shifrat në 2-2.

Por 7 minuta nga fundi Diego Demme një nga blerjet e janarit riktheu Napolin në avantazh dhe vulosi tre pikët përpara se të vinte edhe goli i katërt nga belgu Mertens. Kapiteni i Kombëtares Elseid Hysaj luajti gjithë takimin. 30 pikë për Napolin në vend të dhjetë por tashmë napoletanët janë vetëm 2 pikë larg vendit të gjashtë që të dërgon në Europë. Pas javës së 22-të Serinë A vijon ta kryesojë Juventusi që të dielën mposhti 3-0 Fiorentinën. Këtë javë u rikthyer tek fitorja Interi që mposhti Udinesen në prag të derbit dhe po ashtu Lazio fiton duke mbetur në garë për titullin kampion.