Ndeshja mes Kukësit dhe Tiranës (1-2) ka sjellë pasojat e veta. Plot 164 stola të thyer në këtë sfidë, ngjarje të cilën Federata Shqiptare e Futbollit e cilëson si të shëmtuar. Në një reagim për shtyp bëhet me dije: “Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpër sjelljet e papranueshme dhe vandale të disa grupeve të tifozëve në ambientet e Air Albania Stadium gjatë ndeshjes Kukësi – Tirana, sjellje këto që nuk kanë asnjë lidhje me synimin tonë për t’i kthyer ndeshjet e kampionateve tona në festa futbolli. Këto akte vandale përbëjnë shkelje ligji dhe ne kërkojmë që personat përgjegjës të përballen me ligjin.
Pas verifikimeve të kryera nga administrata e Air Albania Stadium, rezulton se janë dëmtuar 164 ulëse, nga të cilat 145 nga ana e tifozëve të Tiranës dhe 19 nga ana e tifozëve të Kukësit. FSHF ka tashmë të dokumentuara me video dhe foto personat konkretë që thyejnë ulëset dhe i flakin ato në fushë duke dëmtuar sportdashësit e tjerë si dhe duke rrezikuar edhe jetën e zyrtarëve të ndeshjes si dhe futbollistëve. FSHF, nëpërmjet një kërkese zyrtare, i ka kërkuar policisë së Tiranës ndalimin dhe arrestimit e këtyre personave dhe tashmë ka nisur procedura nga ana e forcave të rendit. Federata e Futbollit bazuar te ligji, do të publikojë në stadium fotot dhe videot e personave që ushtrojnë dhunë në mjediset sportive. Kërkojmë mirëkuptimin e tifozerive dhe u bëjmë thirrje që sëbashku t’i kthejmë stadiumet tona në mjedise familjare, ku mbizotëron festa sportive dhe jo dhuna dhe aktet vandale”.