“Radari dhe Polici rrugor tashmë janë kudo”! Është ky mesazhi i Policisë rrugore për të gjithë drejtuesit e mjeteve. Në formën e një mesazhi më tepër se paralajmërimi ka zgjedhur policia rrugore të njoftojë të gjthë drejtuesit e mjetit se do të ketë një kontroll të pandërprerë në rrugët interurbane Tiranë- Durrës – Tiranë, Elbasan , por jo vetëm. “Lajm shumë i mirë për të gjithë. Tashmë vëmendje e kontroll të pandërprerë edhe në rrugët interurbane Tiranë- Durrës – Tiranë, Elbasan , por jo vetëm, kontroll në ditët në vijim me radar në të gjithë vendin. Njësia Operacionale e Policisë Rrugore në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe, do zhvillojnë monitorime e kontrolle të befasishme, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore”, njofton policia.
Duke u ndalur tek aksi më problematik në kryeqytet, Sauk-TEG, burime zyrtare konfirmojnë për Shqiptarja.com se brenda 240 minutash janë janë pezulluar 4 shoferë, një me heje patente për shtepjësi të lartë dhe tre të tjerët me masë administrative. “Vijon monitorimi me radar i segmentit që deri pak javë më parë shumë drejtues mjetesh e përdornin për gara shpejtësie. Në këtë aks ku si rezultat i monitorimit të pandërprerë më radar u pezulluan qindra leje drejtimi gjatë tre muajt e fundit, tashmë është në normalitet. Drejtues mjetesh që respektojnë sinjalistikën. Për 240 minuta monitorim me radar u evidentuan vetëm katër shkelës të sinjalistikës për shpejtësi, nga këta: tre me masë administrative pa masë plotësuese pezullim të lejes së drejtimit dhe një për shpejtësi tej normave të lejura 158 km/h, të cilit ju tërhoq leja e drejtimit”, thuhet në njoftim.
Në fund një mesazh që shkon për të gjithë drejtuesit e makinave.
“Shpejtësia vret jetë, shpejtësia s’të çon në destinacion, shpejtësia të lë me këmbë pasi patentën ta merr polici, rregulli të garanton jetën, destinacionin dhe patentën. Drejtues mjetesh, respektoni sinjalistikën, mbroni jetën e pastaj mbroni dhe patentën, por mbroni jetën tuaj e të përdoruesve te tjerë të rrugës. Radari dhe Polici rrugor tashmë janë kudo, mos u befasoni por respektoni rregullat e kodit rrugor, që të arrini në destinacion shëndoshë dhe me patentën në xhep”, mbyll njoftimin policia rrugore.