Presidenti i Fiorentinës, Rocco Commisso, ishte në tribunën e “Allianz Stadium” për të ndjekur sfidën ndaj Juventusit, ndërsa në përfundim nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj vendimeve të arbitrit Pasqua dhe veçanërisht për njërin nga dy 11-metërshat e akorduar në favor të bardhezinjve. Manjati italo-amerikan pranoi se ishte i ndërgjegjshëm që mund të gjobitet për deklaratat e tij, por shtoi se Fiorentinës i është “ngrënë haku” shpesh javët e fundit dhe se Juventusi nuk ka nevojë për ndihmën e arbitrave që të fitojë.

“Në 6 muaj te Fiorentina nuk kam folur asnjëherë për arbitrat, por ata nuk mund të vendosin ndeshjet, ashtu siç bënë sot. Juventusi është i fortë dhe ka një “artileri” lojtarësh rreth 350 milionë euro, ndaj ta lëmë të fitojë në fushë, sepse nuk ka nevojë për favore të tilla. Penalltia e parë edhe qëndron, por e dyta ishte skandaloze dhe mbylli ndeshjen në momentin më të mirë tonin. E di që mund të gjobitem për këto deklarata dhe jam gati të paguaj, por Juve duhet të fitojë në fushë, jo me favore të tilla”, deklaroi Commisso.