E njohur si avokatja e familjes Berisha, Ballanca ka marrë pjesë në shumë çështje gjyqësore të ndjeshme, procese në të cilat kanë qenë të paditur emrat e Sali Berishës dhe të vetë Lulzim Bashës.

Vetëm ndaj Berishës janë plot 6 procese gjyqësore që nga viti 2014 e më tej, të cilat kanë shkuar në Gjykatën e Lartë, dhe në të gjitha rastet, ish-Kryeministri është mbrojtur nga avokatja Ballanca.

Betejat gjyqësore kundër Sali Berishës në Gjykatën e Lartë, kanë nisur më 2010, kur e ëma e Edi Ramës, Aneta Rama, kërkoi ndëshkimin me gjobë të ish-kryeministrit për shpifje dhe akuza të pabaza të hedhura në adresë së bashkëshortit të saj.

Pas së ëmës, edhe Edi Rama ka paditur në vitin 2011 kur ishte në opozitë, ish-Kryeministrin Berisha për shpifje. Për të njëjtën vepër penale, Berisha është paditur edhe nga Dashamir Peza, Koço Kokëdhima, Artan Dulaku dhe Sokol Hasani

Në të gjitha çështjet, Berishën e ka mbrojtur Erinda Ballanca, dhe në të gjitha rastet padia është hedhur poshtë duke e shpëtuar kështu ish-Kryeministrin nga ndëshkimi me gjobë e deri më burg për këtë vepër penale.

Por Ballanca është avokatja e cila mbrojti edhe kreun aktual të PD Lulzim Basha. Bëhet fjalë për kohën kur ky i fundit mbante postin e Ministrit të Transporteve dhe akuzës që rëndonte ndaj tij për aferë korruptive në vlerën e mbi 250 milionë euro në Rrugën e Kombit.

ballanca

Por nuk është vetëm kjo çështje. Ballanca do të ishte avokatja që mbrojti edhe pallatin e vjehrrit të Bashës në Vlorë. Madje ajo siç ka deklaruar në media, ka qenë edhe pronare e një apartamenti në pallatin e vjehrrit të Bashës, i cili më pas u shemb nga INUK, pasi ishte ndërtuar në shkelje të ligjit buzë detit.

Një tjetër çështje shumë sensitive është edhe gjyqi për pronat e gjykatësit të vrarë Skerdilajd Konomi. Ballanca ka qenë avokatja e tij në procesin e zhvilluar në Gjykatën e Lartë nga Konomi.

Së fundmi ajo ka qenë edhe avokate e ish-guvernatorit Ardian Fullani pas shkarkimit të tij për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Fullani jo vetëm u shpall i pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por me kërkesë të avokates Ballanca për rikthimin në detyrë, ish-guvernatorit iu dhanë me vendim gjykate 56 paga dëmshpërblim, ose rreth 500 milionë lekë.

Një tjetër detaj interesant nga jeta e avokates, është se ajo ka qenë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, në një klasë me kreun e PD Basha dhe bashkëshorten e tij Aurelën.

Nga ana tjetër, Erinda Ballanca është nënë e një djali, dhe lidhjen e veçantë mes tyre, avokatja nuk e fsheh edhe në llogarinë saj personale në Facebook.

Kështu Ballanca pret tashmë zyrtarizimin në postin e Avokates së Popullit duke zëvendësuar Igli Totozanin. Emri i saj u propozua nga Basha teksa gjeti edhe dakordësinë e Ramës, në bazë të marrëveshjes së 18 Majit të arritur mes tyre. E.C/Tiranapost.al