Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Task- Forcës për koronavirusin se edhe pse Shqipëria është një vend me risk të ulët përsa i përket rrezikshmërisë nga përhapja e virusit, në javën e dytë të muajit shkurt do të jetë e mundur diagnostikimi i plotë për koronavirusin. “Çdo masë që ne ndërmarrim në zbatim të planeve të veprimit, përkon eme situatën aktuale të vendit tonë, pra sigurisht që çdo situatë e re na drejton drejt përforcimit të masave të reja. Kemi mundësimin e diagnozës laboratorike e cila kryhet në laboratorin e virologjisë” u shpreh Manastirliu.

Task Forca do të përfshijë 9 komponentë, të cilët përfshijnë planet e trajnimit, zbatimit, apo komunikimin me mediat. Manastirliu nuk la pa përmendur se deri më tani, Shqipëria nuk ka pasur asnjë rast me koronavirus. “Më shumë se 200 mjekë, infermiere dhe epidemiologë janë trajnuar në zbatim të masave që plani i veprimit përcakton. Ne kemi udhëzime dhe algoritme të përcaktuara për hetimet epidemiologjike. Kemi menaxhuar në kohë reale rastet e udhëtimit me Kinën. Janë vlerësuar 5 raste brenda 12 orëve dhe asnjëri prej tyre nuk rezultoi me koronavirusin, por kanë rezultuar me gripin e zakonshëm” theksoi Ministrja e Shëndetësisë.

Manastirliu foli më tej për komunikimin e vazhdueshëm me pikat kufitare, në të cilat rezulton se numri i udhëtareve që kalojnë kufirin drejt Kinës ose nga Kina, është në shifra të ulëta. “Pikat kufitare thonë se janë 110 udhëtare me histori udhëtimi në Kinë dhe 52 prej tyre kanë kaluar nëpërmjet aeroportit të Tiranës. Autoritetet shëndetësorë kanë kryer të gjithë protokollin e nevojshëm dhe nuk kanë rezultuar problematika në lidhje me koronavirusin e ri” theksoi Ministrja e Shëndetësisë.