“Mali i Tomorit dhe i Krujës, dy nga pikat më të rëndësishme historike dhe turistike të Shqipërisë, janë kthyer sot në zona të qeta nga pikëpamja mjedisore, pas mbylljes plotësisht të guroreve dhe furrave gëlqerore, vatrave gangrenë që po shkatërronin këto zona me vlera dhe peizazhe të mrekullueshme turistike”. Kështu u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në fjalën e mbajtur në konferencën shkencore për krimet mjedisore dhe sigurinë kombëtare që u mbajt sot në Tiranë, duke vlerësuar aksionin për ‘çlirimin’ e këtyre dy maleve si arritjen më të madhe gjatë vitit që lamë pas.

“Kur e filluam këtë punë një vit më parë, shumëkush ishte skeptik. Por falë punës së përbashkët me Policinë e Shtetit, Agjencinë e Mjedisit, ia dolëm që malin e Tomorit dhe malin e Krujës, t’i shpëtonim nga katastrofa mjedisore, ku në 30 vitet e fundit operacione të tilla kishin dështuar. Sot në malin e Tomorit dhe malin e Krujës, nuk ka më gurore falë punës së madhe, këmbënguljes dhe vendosmërisë për të bërë të drejtën dhe të duhurën”- tha Klosi. “Këto janë dy shembuj që tregojnë se ne ia dalim përpara, për të mirën e vendit, të qytetarëve dhe zhvillimit të Shqipërisë”, – deklaroi Klosi.

Ministri shprehu falënderim për Policinë e Shtetit dhe angazhimin e institucioneve të linjës, duke vlerësuar bashkëpunim mes tyre si shembullin më të mirë për ndryshimin që çon përpara Shqipërinë. “Kompetencat sot janë të ndara dhe çdo shkelës i ligjit mjedisor përgjigjet përpara ligjit, njësoj si çdo shkelës apo abuzues tjetër i ligjit”,- theksoi Klosi, ndërsa kërkoi më shumë vëmendje nga bashkitë dhe pushteti vendor në menaxhim e mbetjeve dhe mbrojtjen e mjedisit. Krimi mjedisor sipas Kodit Penal, vijoi ai, dënohet 2 deri 7 vjet burg.

Ai bëri apel për një angazhim të përbashkët në luftën për mbrojtjen e mjedisit, si mision i axhendës për të gjitha institucionet. “Zhvillimi i turizmit të gjelbër, mbrojtja e mjedisit është sfida jonë dhe misioni ynë i përbashkët që kërkon angazhimin e të gjithëve”- tha Klosi.