Gazeta italiane “Tuttosport” e titulloi njërën prej faqeve të saj: “Cristiano Ronaldo është i hidhëruar, ka zemërim për të gjithë”. Portugezi luajti një ndeshje të shkëlqyeshme kundër Hellas Verona, por goli i tij nuk i mjaftoi Juventusit të evitonte humbjen 2-1 kundër një kundër një skuadre më të dobët, apriori. Një rast tjetër për të dëshmuar se “Zonja e Vjetër” nuk po kalon momentin e saj më të mirë. Gazeta torineze shpjegon se “7” nuk i përshëndeti tifozët (ai nuk donte të kalonte te “curva”), duke refuzuar të bënte fotografi me ata që iu afruan. Kjo tregon zhgënjimin e lojtarit: “Nuk ishte rezultati që donim, por duhet të vazhdojmë duke punuar shumë për të arritur qëllimet tona”, – tha ylli portugez pas takimit, në përpjekje për ta motivuar skuadrën.

Zemërimi i tij është i ligjshëm. Ka dhjetë ndeshje kampionati radhazi që shënon, por nuk po i përgjigjet edhe skuadra me këtë ritëm. Për pasojë, aktualisht kemi bashkëkryesim të Serie A, mes Juventusit dhe Interit, me pikë të barabarta. Në këtë periudhë kohore në referim, CR7 ka realizuar tri dopieta dhe një “hat-trick”. Pra, shumë pikë në llogarinë e bardhezinjve. Sidoqoftë, golat e tij nuk kanë shërbyer për të fituar gjithmonë. Tri humbje dhe një barazim nënkuptojnë 11 pikë të lëna rrugës në ndeshjet e fundit.

Wojciech Szczesny, portieri polak i Juventusit, konfirmoi zemërimin e portugezit: “Ai është aq i mërzitur, sa të gjithë ne, sepse nuk është mirë t’i humbasësh këto lloj ndeshjesh. Ronaldo bën gjithçka të mundur që të fitojmë, shënon në të gjitha ndeshjet dhe në vend të kësaj, si skuadër nuk kemi qenë mirë”. Juventusi i ka dhënë përsëri mundësinë e bashkëkryesimit Interit, me nga 54 pikë secili, por ndjenjat nuk janë ato të viteve të tjera, kur dukej se skuadra bardhezi nuk kishte asnjë konkurrencë. Në fakt, zikaltrit kanë shënuar më shumë gola dhe kanë pësuar më pak, në krahasim me skuadrën e Maurizio Sarrit.

Cristiano ka qenë gjithmonë i fortë në kohëra të këqija, por nuk po i mjafton Juventusit të hallakatur. Të paktën po shërben si motiv për të ndryshuar kurs, sepse në më pak se një muaj vijnë: gjysmëfinalet kundër Milanit (Kupa e Italisë), sfida kyçe kundër Interit dhe raundi i 1/8 finale të Ligës së Kampionëve kundër te Olympique Lyon. Do të jetë e nevojshme të shihet nëse Ronaldo do ta shkarkojë tërbimin e tij kundër rivalëve, në formën e golave, apo nuk do të kursejë edhe bashkëlojtarët dhe trajnerin Sarri, që nuk po ngjiten dot në lartësinë e investimeve, të emrit dhe pritshmërive të tifozëve bardhezinj.