Antikorrupsioni në Bullgari po heton lidhjen e dyshuar të kryeministrit Boyko Borisov me një komplot riciklimi parash në nivel ndërkombëtar, me destinacion Barcelonën. Denoncimi në policinë katalanase, sipas të cilës “ka indicie vërtetësie”, është formalizuar në nisjen e hetimeve. Sipas skuadrës që po kryen hetimet, faktet “do të tregonin ekzistencën e një organizate kriminale”.Si ankesa ashtu edhe hetimet, të cilat i disponon spanjollja “El Periodico”, vërtetojnë se përfituesi i këtij komploti, deri tani i supozuar, është Borislava Yovcheva, një modele bullgare, lidhja e mundshme e të cilës me Borisov po shihet me shumë kujdes. Yovcheva dhe babai i tij, një ish-elektricist, janë aksionerë të dy kompanive me qendër në Barcelona: Numin Invest SL dhe EMA BGS SL, e cila ka marrë mbi pesë milion euro që nga viti 2013, sipas hetimeve. Këto sasi vijnë, sipas hetimit, nga “persona fizikë që nuk janë rezidentë në Spanjë”.Më 20 mars 2019, e njëjta njësi hetimore pranoi një ankesë nga një grup bullgar e quajtur MC BUUP (Lëvizja Civile e Bashkuar Bullgaria), denoncim në të cilin raportohej komploti i supozuar. Në denoncim thuhej se Yovcheva dhe familja e saj jetonin në një vilë luksoze dhe hodhën hipotezën e marrëdhëniesë së saj me kryeministrin.
Vila Esplugues
Agjentët e qendrës së krimeve ekonomike monitoruan dhe fotografuan vilën, të cilën ata e përshkruajnë si një “rezidencë të nivelit të lartë”, të vendosur në një zonë banimi të Esplugues de Llobregat me “siguri private dhe sisteme të përparuara mbikëqyrjeje”. Hetimi zbuloi se prona ishte blerë për tre milion euro në vitin 2013. Shtëpia me pishinë, është në emër të Numin Invest SL, një nga dy kompanitë që po hetohet nga policia katalanase dhe prokuroria.Mes janarit dhe qershorit 2013, ish-modelja ishte administratorja e vetme e asaj kompanie, e cila kishte një kapital prej 3 000 eurosh. Që atëherë, atë pozitë e ka zënë babai i tij, Georgi Yovchev, i cili kontribuoi me 3 006 euro të tjera. Hulumtimi zbuloi ekzistencën e një kompanie të dytë: EMA BGS SL, që ka në pronësi një dyqani luksoz veshjesh në Paseo de Gràcia. Kjo kompani mori fonde në masën 2 300 000 euro sipas hetuesve, nga një kompani tjetër me bazë në parajsën fiskale të Qipros. EMA BGS SL, në të cilën kanë pjesë edhe ish-modelja dhe i ati është me qendër në vilën ku jetonte familja.Babai banonte dhe ishte regjistruar në shtëpi, së bashku me gruan, vajzën dhe nipin e tij, lindur në vitin 2012. Hetuesit theksojnë në raportet e tyre se kujdestari i vetëm ligjor i fëmijës është Borislava Yovcheva dhe në dokumentacion nuk figuron prind tjetër.Sipas denoncimit që u bë shkak për nisjen e hetimeve, kreu i qeverisë bullgare ka pasur një marrëdhënie sentimentale me modelen. Ai e ka mohuar një gjë të tillë në rrjetin televiziv Eurocom. Pasi mësoi se hetimi ishte hapur në Barcelonë, “El Periodico” i dërgoi kabinetit të Borisov një kërkesë për informacion më 13 shkurt, pa marrë një përgjigje.
Qiraja e “kryeministrit”
Hetuesit kanë analizuar llogaritë e fitimit dhe humbjes së Borisov për të parë nëse, sipas deklaratës së Thesarit të vendit të tij, ai mund t’i përballonte financiarisht investimet e regjistruara në këto dy kompani. Përfundimi është se, bazuar në të ardhurat e deklaruara, se kjo nuk do të ishte e mundur.Pas një viti kërkimesh, policia katalanase arriti në përfundimin se investime mbi 5 milion euro ishin bërë në Katalonjë. Paratë kanë mbërritur në Spanjë duke përdorur dy kompanitë e hetuara. Agjentët nuk gjetën të dhëna për të mbështetur faktin se modelja dhe babai i saj kanë të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për të përballuar jetën luksoze. Në raportet e tyre për Antikorrupsionin, agjentët thonë se denoncimi flet për para që “lidhen me fonde të padeklaruara nga zyrtarë të lartë të qeverisë bullgare”, mes të cilëve Borisov.Për këtë arsye, njësia i kërkoi prokurorit të antikorrupsionit të hetojë të ardhurat, deklaratat e taksave, kasafortat, kartat e kreditit, çeqet e arkave dhe detajet e tjera bankare të Borislava Yovcheva, babait të saj dhe pesë personave të tjerë.
Gjurmë akoma më të hershme
Në fund të vitit 2015, në një regjistrim që i ishte bërë ish-gjyqtares së shkarkuar nga qeveria bullgare, Vladimira Yaneva, përmendet edhe një shtëpi në Barcelonë. Ky detaj del mes bisedave të bëra për disa raste të abuzimit me pushtetin dhe Borisov përmendet si blerësi i shtëpisë, ku do të “vendosej dashnorja”.Komisioni Evropian, në raportin e tij për Bullgarinë në vitin 2016, tha se skandali i regjistrimit, i njohur si Yanevagate, “nxiti polemikën ekzistuese” për situatën e drejtësisë në vend. Raporti i KE tregon se “pas ankesave të përsëritura për një hetim të pavarur, Ministria e Taksave dhe CSPJ (Këshilli Gjyqësor Bullgar) kanë njoftuar nisjen e hetimeve për përmbajtjen e regjistrimeve”.Komisioni Evropian vuri në dukje se “do të jetë e rëndësishme për besueshmërinë e procesit që të merren të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që hetimi të kryhet në mënyrë transparente dhe të paanshme”. Dokumentacioni i KE shton se “më 14 janar CSPJ mbylli hetimet e saj, megjithëse në rrethana të diskutueshme. Gjyqi u kritikua për mungesë transparence në një letër të Shoqatës së Gjyqtarëve”.Në verën e vitit 2018, një video anonime e postuar në rrjet solli të dhëna të reja për shtëpinë në Barcelonë. Në mars 2019, çështja arriti te hetuesit që e kanë aktualisht në ndjekje.(Respublica)