Safet Gjici u gëzohet pikëve dhe kreut. E pranon që ndaj Laçit nuk ishte gjithçka perfekt, por në fund të fundit mjaftohet me rimarrjen e vendit të parë. Edhe pse Tirana po i përndjek këmba-këmbës, presidenti e thotë “troç” që nuk e ndien presionin e tyre. Frika e vetme e tij vjen nga vetë… Kukësi.
Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i verilindorëve saktëson se kampionati është i ngjeshur, por nuk sheh garë dyshe me bardheblutë.Ai kërkon maksimumin edhe në dy ndeshjet e radhës (me Bylisin dhe Tiranën), në të cilën mund të luhet edhe një pjesëz titulli.
Tri pikë shumë të rëndësishme me Laçin, edhe pse jo të lehta…
Pjesën e parë kishim probleme, por rëndësi ka që jemi në krye. Laçi ka një ekip për t’u marrë në konsideratë, kjo u pa qartë në nisje të lojës. E megjithatë, në të dytën e morëm veten dhe siguruam fitoren.
Riktheheni në krye pas pak orësh. Menduat se mund të mos ktheheshit më aty?
Ky kampionat kështu është, i paparashikueshëm dhe ku mund të ketë lëvizje në renditje. E rëndësishme është që në fund të dalim në krye. Besoj se jemi në rrugën e duhur dhe duhen vlerësuar ndeshjet e tjera që kemi, qoftë në Ballsh apo me Tiranën.
E ndieni presionin e Tiranës tani nga prapa?
Ne kemi presion veten. Duhet të merremi me veten tonë, nuk kemi presion nga asnjë ekip tjetër. Kampionati është i vështirë dhe pa u shkëputur, nuk mund të themi asgjë. Nuk ka garanci, përderisa jemi të shkëputur me vetëm një pikë… Kampionati është konkurrues, jemi në rrugën e duhur, por duhet të vlerësohen të gjitha ndeshjet e radhës.
Dhe ndeshjet e radhës i keni me Bylisin dhe Tiranën, a luhet një pjesëz titulli në këto 180 minuta?
Kemi dy ndeshje të forta, si në Ballsh ashtu dhe me Tiranën, rivale të drejtpërdrejta, por Kukësi i ka kapacitetet për t’i përballuar. Djemtë e dinë që janë në rrugën ku duhet të fitohen ndeshjet. Duhet të jemi me këmbë në tokë, jo euforikë dhe rezultatet do të vijnë më pas.
A është garë dyshe lufta për titull, midis Kukësit dhe Tiranës?
Nuk e besoj këtë, sepse ndoshta Tirana ka pasur një kalendar më të lehtë në letër, por e kemi thënë që nuk ka ekip të lehtë, të dobët apo të fortë, pasi janë të gjitha njëlloj. Edhe me vendin e fundit duhet vlerësim, sepse luajnë për mbijetesë, pa presion. Presioni i titullit është te çdo ekip që pretendon për titull. Ne jemi në rrugën e duhur.