Sot ka festë në Tiranë! Si sot 100 vite më parë, qeveria e Lushnjës hyri në Tiranë më 11 Shkurt 1920 dhe u prit nga Kryetari i Bashkisë Ismail Ndroqi në Qafë të Kasharit – aty ku sot është rrethrrotullimi i Rinasit. Nga ajo ditë, kryeqyteti mbush plot 100 vjet, dhe Bashkia e Tiranës ka menduar një sërë aktivitetesh për qytetarët, për të festuar dhe t’u argëtuar në këtë ditë të veçantë.

Por si do të festojmë sot 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet?! Në sheshin “Nënë Tereza”, do të mbahet një koncert me disa prej emrave më të njohur të muzikës. Valbona Mema, Irma Libohova, Sinan Hoxha, Artjola Toska dhe shumë këngëtarë të njohur të muzikës popullore tiranase do të performojnë në orën 19:00. Një tjetër mënyrë për të kaluar një pasdite të këndshme në Tiranë sot është “Drive In Cinema”. E vendosur pranë Bulevardit të Ri të Tiranës, kjo kinema mirëpret çdo mbrëmje në dy orare të ndryshme, 18:30 dhe 20:30, të gjithë ata që duan të shohin një film ndryshe.

E veçanta e kësaj kinemaje është se ti e sheh filmin nga makina jote, në një ekran të madh të vendosur para dhe audion e dëgjon nga radioja jote. Sot do të jetë hyrja falas për këdo që është i apasionuar pas kinemasë, por “Drive-In Cinema” do të zgjasë deri në fund të muajit maj dhe me pagesë sigurisht, diku te 700 lekë të rinj.