Më datën 26 të muajit janar, legjenda e basketbollit Kobe Bryant humbi jetën në një aksident me helikopter së bashku me vajzën e tij 13-vjeçare, Gianna dhe 7 persona të tjerë. Pasi fluturoi disa minuta në mjegull, helikopteri i tyre ra në Los Angeles, duke i shkaktuar menjëherë vdekjen personave që ndodheshin në të.

Një muaj pas tragjedisë që trishtoi botën, do të mbahen homazhe publike për Kobe dhe Gianna Bryant. Homazhet do të mbahen në Staples Center, shtëpinë e skuadrës së basketbollit ‘Los Angeles Lakers’. Eventi do të nisë në orën 10:00 dhe do të transmetohet në “Yahoo Sports”. Për ceremoninë e homazheve dolën në shitje 20.000 bileta, ndërsa çmimet e tyre varionin nga 24.02 deri në 224 dollarë, sipas numrave që Kobe (24) dhe Gianna (2) mbanin në fanellat e tyre.

Sipas “Los Angeles Times”, fitimet e biletave do t’i dhurohen organizatës së bamirësisë “Mamba & Mamacita Sports”, e riemëruar nga Vanessa Bryant në nder të bashkëshortit dhe vajzës së humbur.