Josep Maria Bartomeu, presidenti i Barcelonës, foli të martën, gjatë dorëzimit të çmimit ndërkombëtar të gazetarisë “Vázquez Montalbán”. Fjalimi i drejtuesit të lartë të klubit katalanas pritej me mjaft interes në një moment të trazuar për Barcelonën. Pasi falënderoi familjen e Vázquez Montalbán dhe përgëzoi Jorge Valdano për çmimin, ai u ndal edhe te skandali “I3 Ventures”, i zbuluar nga “Cardena Ser”, teksa bëri një deklaratë institucionale.

Në të mohoi çdo përgjegjësi të klubit që drejton për shpërndarjen e mesazheve që prishin imazhin e lojtarëve të tyre. Po ashtu, Bartomeu njoftoi prishjen e marrëdhënieve me “I3 Ventures”: “Unë dua ta bëj të qartë për partnerët se asnjëherë, Barça nuk ka punësuar ndonjë kompani për të diskredituar ndonjë lojtar, ish-lojtar, politikan, president dhe ish-president. Çdo lajm tjetër është i rremë. Ne do ta mbrojmë veten domosdoshmërisht para kujtdo që na akuzon me “fake news”. Barça nuk ka punësuar askënd që të diskreditojë cilindo njeri të vetëm, jo më lojtarët apo legjendat e veta”.

Sigurisht, ai pranoi marrëdhënien me “I3 Ventures”, me të cilën klubi katalanas i prish këtu marrëdhëniet: “Barça punësoi një kompanie për imazhin e vet në fund të vitit 2017. Por, pas konfirmimit se një prej llogarive të denoncuara është e lidhur me atë kompani, këtë mëngjes kemi udhëzuar që të ndërpritet kontrata me “I3 Ventures”. Pyetjes nëse kemi porositur shërbime të mediave sociale për të ruajtur imazhin tonë i përgjigjemi me “po”. Pyetjes nëse e kemi porositur të diskreditojë cilindo njeri të vetëm i përgjigjemi prerë me “jo”. Ne do të hedhim në gjyq këdo që na akuzon për këtë. Para të pavërtetave do të mbrohemi ligjërisht”. Bartomeu, gjithashtu, kujtoi dy raste, kur Barça ka fituar në gjykatë: “Në rastin e Paulinho ne u denoncuam për evazion e korrupsion dhe provuam të kundërtën. Edhe në rastin e spiunazhit na u dha e drejta në gjykatë. Prandaj, ne i bëjmë gjërat me qetësi dhe përgjegjësi”.