Zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, theksoi sot nevojën për ndërhyrje përmes disa ndryshimeve rregulluese që nuk e prekin thelbin e strategjisë së re të pushtetit vendor, si standardizimi kombëtar i shërbimeve të ofruara nga bashkitë.
Në seancën dëgjimore të nënkomisionit për qeverisjen vendore lidhur me strategjinë e re të pushtetit vendor zëvendësministrja Kuko e përqendroi fjalën e saj në katër çështje kryesore: së pari, ajo u ndal te plotësimi i kuadrit ligjor në pjesën e pushtetit vendor, ku shtroi idenë e përpunimit të një kalendari që e detyron pushtetin qendror për mbarimin e rregullimeve të ligjeve që prekin pushtetin vendor deri në një afat të caktuar.
Një ndër çështjet e shtruara nga Kuko ishte edhe ajo e strukturave të fryra të disa bashkive, duke shtruar idenë e standardizimit kombëtar të strukturimit të tyre. Po ashtu zëvendësministrja shtroi gjithashtu nevojën për përfshirjen e nënkomisionit në rakordimin me këshillin konsultativ mes qeverisë vendore dhe asaj qendrore për rakordimin e ligjeve në diskutim, si edhe sa i takon strategjisë.
I pranishëm në dëgjesë ishte edhe Bekim Murati, drejtuesi i Agjencisë për Mbështetje të Vetëqeverisjes Vendore, ndërsa mbledhja u drejtua nga kryetari i nënkomisionit, Bashkim Fino.