Pluhuri i akullit trazuar me vorbullat e erës prej stuhisë Ciara që kanë arritur shpejtësinë 147 kilometra në orë, pasi goditën bregdetin e Atlantikut, kanë rendur në zemër të Europës duke gjunjëzuar Gjermaninë dhe Zvicrën. Në Francë, dallët e zemëruara të oqeanit kanë shkaktuar dëme të mëdha në qytezat bregdetare por veçanërisht në Korsikë.
Të paktën tetë viktima janë regjistruar në Poloni, Çeki, Francë, Gjermani dhe Suedi. Në 42 rajone të Francës autoritetet kanë ngritur alarmin portokalli teksa gati 130 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike. Dhjetëra fluturime janë anuluar në aeroportin Charles de Gaulle kurse 150 të tjerë në Këln e Dyseldorf. Në Gjermani ka patur gjithashtu edhe disa të plagosur, tre nga të cilët janë në gjendje kritike për jetën. “Bishti” i stuhisë së dhunshme Ciara ka mbërritur ndërkohë në Sardenja dhe në rajonet qendrore të Italisë.