“Tirana” ka mundur “Teutën” me rezultatin 2-1 në “Air Albania Stadium”, në kuadër të javës së 20 të superligës shqiptare të futbollit. Fitore kanë arritur edhe “Kukësi” dhe “Partizani”, të cilat kanë luajtur respektivisht me “Flamurtarin” në Vlorë dhe “Luftëtari” në Gjirokastër. Fitorja e bardhebluve, padyshim ishte dhe më e rëndësishmja pasi durrsakët janë një skuadër që pretendon pjesëmarrjen në kupat e europës dhe si e tillë për kryeqytetasit triumfi ndaj djemve të detit nuk ishte aspak i lehtë. Ndryshe paraqitet situata te “Luftëtari” dhe “Flamurtarit” që janë në fund të klasifikimit, duke qenë thuajse të rëna nga kategoria.
Takimi në kryeqytet u luajt në një atmosferë elektrizuese në impiantin modern, që i nxiti futbollistët e të dyja skuadrave të jepnin më të mirën në fushë. E nisi më mirë ndeshjen “Teuta”, që pas shkëndijës që dha me Kolubalinë, realizoi golin e epërsisë me Lorenco Vilën, i cili kërceu bukur me kokë pas krosimit të Todorovskit nga e djathta, 0-1 (13’). Për ta ndihmuar Tiranën që të kthehej fuqishëm në lojë mendoi një ish si Stivi Frashëri, që gaboi rëndë duke i dhuruar topin brazilianit Cale, i cili bëri më të thjeshtën, duke pasuar për Michael Ngoo, që pasi dështoi në momentin e parë (goditi shtyllën), e pati të lehtë më pas ta dërgonte topin në rrjetë, 1-1. Bardheblutë morën zemër dhe në minutën e 39-të shënuan edhe golin e 2-1 me Agustin Torasën, që pasi shmangu portierin Frashëri, në pozicion të prirët, nxori jashtë loje edhe dy mbrojtësit e Teutës, që tentuan t’i zinin rrezen topit 2-1. Goditjen tjetër të rëndë Teuta e mori në minutën e 42-të, me kryesorin që i nxori kartonin e kuq Çyrbjes, për një veprim të nxituar ndaj Calesë, që ishte i shtrirë në tokë.
Sfida e Vlorës, mes “Flamurtarit” dhe “Kukësit”, pati pak histori. Skuadra e drejtuar nga Duro shënoi dy gola të shpejtë me Shkurtajn, një me aksion dhe tjetrin me 11-metërsh. Në fillim të pjesës së dytë një gol u bukur i realizuar nga Vrapi i “Flamurtarit” u duk sikur hapi ndeshjen, por “Kukësi”, me shumë përvojë, mbylli gjithçka shumë shpejt me rrjetat e Musollit dhe Marko Van Basten Çemës. “Partizani” arriti fitoren e parë për vitin 2020 dhe e bën këtë me një fitore të pastër 0-3 në transfertën ndaj “Luftëtarit”. Kryeqytetasit zhbllokuan sfidën që në minutën e dytë me anë të sulmuesit Theofilus Solomon, që ishte titullar në majën e sulmit, ndërsa në të 18-ën ishte radha e Rron Brojës që të shënonte golin e dytë dhe njëkohësisht të parin e tij me fanellën e kuqe. Luftëtari provoi të rihapë takimin, por tentativat e pakta për të dalë në sulm, zgjidheshin keq, ose menaxhoheshin mjaft mirë nga lojtarët e prapavijës së Partizanit, që në minutën e 72-të shënoi edhe golin final me mesfushorin brazilian Ëillian Cordeiro.
Sa i takon javës së 20-të të superligës, sot luhen dy sfida: “Bylis”-“Vllaznia”, në orën 14:00 dhe “Laçi”-“Skënderbeu” në të njëjtin orar. Klasifikimi: Kukësi 38 Pikë, Tirana 37, Partizani dhe Teuta 31, Bylis 30, Laçi 29, Vllaznia dhe Skënderbeu 27, Luftëtari 12 dhe Flamurtari 6 “Bylis, Vllaznia, Laçi e Skënderbeun kanë një ndeshje më pak