Nga Ylli Pata
Ajo që po ndodh pas vendimit të 100 vendev të botës për t’i dhënë Shqipërisë më shumë se 1 miliard euro me adresim të caktuar, pra ndërtimin e banesave të atyre që janë prishur nga tërmeti i 26 nëntorit, është vërtet një precedent fantastik për teorinë politike si shkencë.
Një fenomen tipik shqiptar, ku pala kundërshtare bëhet bllok për të mos lejuar hapjen e një rruge apo shtegu nga qeveria në fuqi, e cila faktikisht drejton vendin dhe normalisht çdo ndihmë apo kredit etj, është në dobi të njerëzve, të të gjithëve.
Tek ne ndodh e kundërta, dhe në fakt pikërisht kur pala që sulmon egër vjen në qeveri, ndodh që përballet me furtunën pasi ka mbjellur erën.
Kështu ndodhi edhe mbrëmë, me reagimin opozitar të Edi Ramës ndaj një fitoreje që Edi Ramës, përveç lobimit që ai vetë ka ndërmarrë, ja ka dhënë vetë opozita, e cila paralajmëroi dështimin, duke kryqëzuar paraprakisht dhe me prolog kryeministrin. E kur e bën këtë veprim, do të përballesh me pasojën, nëse ndodh e kundërta, siç ndodhi.
Shikoni reagimin e mbrëmshëm: nisi me atë që bota ndihmoi popullin, më pas që ndërkombëtarët kanë ndihmuar edhe diktatorët, e më pas me fake news në lidhje me shifrën, e sot me teoritë e ekspertëve të nivelit të “lartë”.
Një profesor i lartë i komunikimit dhe natyrisht filozof i njohur, Artan Fuga, shkruan që sot pa ardhur lekët, se ato do të bëhen rrush e kumbulla.
Ndërsa i mirënjohuri Fitm Zekthi, që i ka bërë injorantë e legenë personalitete të njohura botërore, vetëm se ai i ka inat, shkon edhe më tej, kur thotë se ekonomia shqiptare do të marrë tatëpjetën sapo lekët e donatorëve të mbërrijnë në llogarinë e qeverisë shqiptare.
Po ka edhe më, ka shumë, pasi taktika është që në kohën e rrjeteve sociale, lajmi i djeshëm të eklipsohet sa më shumë.
E në fakt ky është një fenomen që prej vitesh e dominon skenën politike tek ne, por edhe në botë, ku zhurma dhe zalisja kanë më shumë force, se sa debati e argumentimi profesional i një ngjarje të rëndësishme, siç ishte Konferenca e Donatorëve dje.
Shqipëria nuk është hera e parë që zhvillon një Konferencë Donatorësh me Bashkimin Europian: e ka bërë Fatos Nano në 1991, Ylli Bufi e Gramoz Pashko në po atë vit, Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi në 1992, Fatos Nano në vitin 1997 e Pandeli Majko në vitin 1999.
Afërsisht thuajse të gjitha këto evente kanë pasur një mesatare fondesh të marra, që shkonin tek 300 milionëshi i eurove apo USD, në atë kohë që s’kishte dalë monedha e përbashkët.
Fatos Nano në vitin 1991 është larguar nga qeveria pas grevave të inicuara nga PD, pikërisht me argumentin se nuk arriti të bindë ndërkombëtarët për të marrë një ndihmë të madhe financiare.
Atëherë politikanë të opozitës si i ndjeri Gramoz Pashko, kishin injektuar në opinion idenë se PD do të kalonte miliardin e ndihmave kur të vijë në pushtet, e që në fakt jo vetëm që nuk ndodhi ashtu, por edhe Pashkon e la Berisha në opozitë, e më pas e mori Fatos Nano këshilltar.
PD nuk e ka gjë të re kundërshtimin për ndihmat ndaj qeverive të PS-së, pasi e ka shikuar gjithmonë këtë si një oksigjen për kundërshtarin, dhe jo një mundësi për vendin.
Në vitin 1991, PD zhvilloi një protestë para Ambasadës kineze, kur Pekini i premtoi një ndihmë të majme Ramiz Alinë, çka e shqetësoi Berishën.
Atëherë kjo protestë u pa si sinjal pro-perëndimor i opozitës kundër një zhvillimi prej një vendi komunist siç është Kina.
Por sot që këtë ndihmë, më të madhe deri më sot e ka certefikuar një institucion perëndimor, më i rëndësishmi siç është Komisioni Europian, si do të përkthehet ky qëndrim?!
Asgjë tjetër veçse një manovër politike që në teorinë e komunikimit ngjan thjesht si reagim inati, pa një objektiv e strategji të caktuar. Shkurt pa kauzë.
Siç ndodhi një vit më parë, kur u dogjën mandatet, e u gjuajtën me molotovë parlamenti e Kryeministria. Kurse sivjet Meta përmendi edhe tanket. Po cilat se?!
TemA