Muri i një kulle rrethore, element i arkitekturës së kalasë së Ali Pashës, u gjet nga specialistët e Drejtorisë së Shërbimit Arkeologjik në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore gjatë inspektimeve në këtë kala. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se “u kërkua pezullim i plotë i punimeve deri në marrjen e një vendimi nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale”. Specialistët inspektuan punimet që po kryhen në kuadër të projektit “Rikonstruksioni i rrugëve të brendshme të Kalasë së Ali Pashë Tepelenës dhe vazhdimi i shëtitores përgjatë hyrjes së kalasë, Loti II (Segmenti Porta Perëndimore – Busti i Selam Musait)”, Tepelenë.
Kalaja e Tepelenës vazhdon të përbëjë një prej objekteve, e cila mbart dëshmi dhe vlera të rralla historike. E ndërtuar nga Ali pashë Tepelena, në periudhën e lulëzimit të Pashallëkut të Janinës, kalaja e Tepelenës është një objekt me vlera të rralla ndërtimore, por edhe një kala, e cila mbart dëshmi të rëndësishme historike. Ajo njihet prej të gjithëve si një nga simbolet e lidhjes historike të Tepelenës me sundimtarin e njohur Ali Pashë Tepelena. Vazhdimisht, përgjatë mureve të gurta të kalasë, kullave dhe ndërtimeve të tjera prej guri, të zë syri grupe turistësh të cilët kërkojnë të prekin nga afër vlerat e kështjellës të ndërtuar nga Veziri i Janinës.