Për rimëkëmbjen e dëmeve dhe pasojave të shkaktuara nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit duhen 1,076 miliard euro. Dëmet totale të vlerësuara për sektorin e prodhimit janë 150.4 milionë euro. Grupi i përbashkët i punës i përbërë nga ekspertët e qeverisë, bankës botërore, komisionit europian dhe PNUD publikoi raportin me faturën totale të dëmeve që tërmeti ka shkaktuar në ekonomi.

Në nënsektorin e turizmit dëmi i shkaktuar vlerësohet 90.24 milionë euro. Numërohen 18 struktura akomoduese të dëmtuara dhe 42 struktura  shërbimi (bar/restorante. Biznesi dhe punësimi janë dy nën sektorët e tjerë të prekur nga tërmeti, ku dëmi i shkaktuar llogaritet 53 milionë euro.

Numri i bizneseve të prekura në prodhim dhe tregti llogaritet 714. Rikuperimi për sektorin e infrastrukturës do të jetë 61 milionë euro. Brenda sektorit të infrastrukturës, mbi gjysma e nevojave të rimëkëmbjes janë në nën sektorët e ndërtesave të energjisë dhe qeverisë, përkatësisht me 12.9 milionë euro dhe 26.5 milionë, ndërsa infrastruktura komunitare llogaritet 10.5 milionë euro. Rimëkëmbja në sektorin e bujqësisë kërkon një fond prej 5.7 milionë eurosh, ndërsa për rikuperimin e rrjetit të ujësjellës kanalizimeve nevojiten 1 milion euro. Në sektorin e bujqësisë llogariten dëme në makineri dhe lëndë të para, si dhe dëmtime argjinaturash dhe sisteme kullimi, kryesisht në zonën e Durrësit.