Të tre debatet kryesore të së enjtes në mbrëmje -Open, Top Story, Opinion – kishin si temë çështjen “Meta”, duke patur të ftuar përkatës, figura të njohura, deri dhe të mërzitshme panelesh, po me të njëjtat qasje të mërzitshme ndaj akteve dhe sjelljes së njeriut në krye të shtetit. Por në asnjërën prej tyre nuk kishte së paku një psikolog.
Më së shumti, qasja duhej te qe e natyrës psikologjike. Kush s’e ka kuptuar ende duhet të kuptojë, edhe ta pranojë gjithashtu, se tashmë nuk ka vlerë asnjë qasja juridike apo politike mbi atë çfarë po shfaq Meta prej një viti. E vetmja qasje e mbetur ajo është ajo psiqike. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur e nuk po ndodh në aspektin politik apo juridik mes mazhorancës dhe kreut të shtetit.
Në çdo kohë të këtyre tre dekadave post-komunizëm, këto ngërçe e këto përplasje kanë qenë mëse të pranishme, e që kanë përfshirë të gjithë aktorët e institucionet kryesore. Stresuese pa dyshim, por janë gjithsesi “normalitet demokratik”. E kjo vëtetohet nga fakti se nuk i ka vetëm Shqipëria. Edhe Europa vetë është me ngërçe të ngjashme, ashtu si dhe politika amerikane. Por në asnjën rast, sado kontravers të duket ndonjë aktor politik, ai ka gjithsesi limite.
Në rastin e Metës, ne sot nuk dallojmë dot se ku i ka limitet dhe e nëse ka. Që do të thotë se qasja ndaj asaj çfarë ai pretendon, nuk vlen më për logjikën normale. Ti sot nuk ke përballë atë me të cilin komunikon me argumenta, por një rast të rëndë klinikisht, për të cilin duhen shpjegime psikologjike e neurologjike. Edhe sikur të ketë të drejtë nga pikëpamja konstitucionale mbi atë çfarë po ndodh me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, faktet që servir ai nuk kanë asnjë impakt në sensitetet e opinionit, pasi ato janë çështje të imëta juridike për të cilët gjindja as që i ka idenë për ç’flitet.
Ajo sheh e përjeton vetëm neurozat presidenciale, ku më e fundit ishte një videoklip delirues me “Për ty atdhe” të Mentor Xhemalit në sfond, e përqafimi në publik i këshilltarit juridik, pasi i kërkoi atij që të betohej se do thoshte të vërtetën. Sot, përballë këtij presidenti, nuk është çështja të jesh apo jo me Metën, të jesh apo jo me Ramën; ka të drejtë ky apo ai. Sot është çështja të gjesh pozicionin e duhur në respekt të vetes për të mos qenë një prej shumë budallenjve që gjenden në lumë në kërkim të gurit që ka hedhur një i dalëmendsh.
Nëse do ishte për aspekt juridik, mjafton Venecia dhe zgjidhet çështja. Nëse ishte për atë politik, mjafton një dorëheqje nga Presidenca, kalim në lidership opozitar dhe tentim pushteti. Por çështja është kryekëput vetëm psiqike, e këtu dilema është nëse Meta vërtet ka vërtet probleme në këtë pikë, apo është qiqër nga mendja, por ka zgjedhur të bëjë të dalin mendsh, si një armë e fundit për synimet e tij politike.
Kujtoni personazhin Met te filmi “Lugina e pushkatarëve”. Kur ai u përballë me diversantë në pyll, vendosi të bëjë budallain. Qante e qeshte duke kërkuar Shytën e humbur (dhinë), e falë kësaj skeme bëri të mundur t’jua hidhte atyre. Tani, Meta o bën Metin, ku dhe në këtë rast ka ca diversantë para, të cilët janë ndërkombëtarët, o është vërtet Met joaktorial. Ky është gjithë debati dhe për këtë duhen psikologë e jo analistë në studio.