Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Serbia normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kjo i është kërkuar personalisht nga presidenti i SHBA, Donald Trump homologut Aleksandër Vuçiç në urimin që i ka dërguar për festën e pavarësisë. Urimin e personalizuar, Trump ia ka dërguar Vuçiç nëpërmjet ambasadorit amerikan në Serbi, Anthony Godfrey. “Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën duhet të jetë prioritet në rrugën e integrimit evropian të Serbisë. Në të ardhmen, mund të mbështeteni tek përkrahja e SHBA-së në rrugën tuaj për arritjen e synimit, anëtarësimin në BE si dhe përpjekjeve për fuqizimin e reformave që janë të nevojshme për të arritur deri tek caku i dëshiruar”, i shkruan Trump.
Shefi i shtëpisë së bardhë i ka shkruar letër presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, me rastin e Ditës Kombëtare të Serbisë. Ndryshe nga letra e datës 15 shkurt 2019 ku Trump thoshte që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të dërgojë në njohje reciproke, në këtë letër, numri një i SHBA-së i ka kërkuar Vuçiç vetëm normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës. Ndërkohë nga e tij presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka thënë se është lumtur për përkushtimin e administratës së presidentit Trump, dhe veçanërisht për Përfaqësuesin Special për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell.
Sipas kreut të shtetit serb, Grenell ka mirëkuptuar nevojat e njerëzve në rajon dhe nevojën për rritjen e standardit të jetës, zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të infrastrukturës.