Thomas dhe Tonia u takuan në media sociale dhe përmes mesazheve filluan një lidhje me njëri-tjetrin, duke ndarë bashkë edhe pasionin për udhëtime dhe dashurinë për qentë.
34-vjeçari Thomas nga West Midlands, po planifikonte të ardhmen e tyre së bashku, por Tonia ishte në të vërtetë një mashtrues. “Unë dhe Tonia kemi pasur shumë gjëra të përbashkëta dhe folëm çdo ditë për shtatë muaj. Ajo ishte e bukur, humoristike dhe e sjellshme. Nuk mund ta besoj se sa e lehtë ishte për të që të përfitonte nga unë. Nuk e dija që ajo po më mashtronte që t’i jepja detaje personale, në mënyrë që të mund të merrte para. Ajo me tha se prindërit e saj kishin vdekur dhe ajo po jetonte me gjyshen që vuante nga kanceri. Ajo thoshte se po paguante ushqime dhe fatura të shtrenjta mjekësore dhe kërkoi para.”,- thotë ai. Ajo i tregoi “prova” që po priste një trashëgimi të madhe. Ishte false.
Për ta bërë historinë të duket më realiste, paratë u transferuan në llogarinë e tij. Tonia i kërkoi që ta shpërndante në llogari të ndryshme, pasi ajo nuk kishte një të vetën. Në fakt, paratë kishin ardhur nga kreditë e marra në emër të tij nga mashtruesi, pa dijeninë e tij. Kur filloi të merrte letra nga ato kompani kredie, e kuptoi që ai ishte mashtruar.
Ai shkoi në filialin lokal të bankës dhe u shpjegoi çfarë kishte ndodhur. Dhe ekipi që kontrollon mashtrimet në bankë i ktheu paratë. “Tani e kam mbyllur llogarinë time në mediet sociale sepse nuk dua të hyj në marrëdhënie me askënd tjetër në atë mënyrë. Do të më duhet një kohë e gjatë për ta kaluar këtë.”,- tha Thomas.
Mashtrimet në rrjete sociale janë të mëdha, për më tepër jo vetëm në SHBA, Britani të Madhe por edhe në vendin tonë. Shumë prej mashtrimeve nisin përmes lidhjeve online, ose shërbimeve të tjera, ku mashtruesi, një person, me foto të rreme, hedh karremin për të kapur peshkun e radhës. Disa këshilla për sigurinë në internet!
-Persona që kryejnë mashtrime në internet, vendosin informacione të tilla si pasuria dhe mënyra e jetesës, në mënyrë që të manipulojnë viktimat e tyre.
-Policia mund të hetojë dhe të ndihmojë për të siguruar mbështetje, por shpesh nuk mund t’i kthejë paratë.
-Është shumë e thjeshtë që mashtruesit të mbulojnë gjurmët e tyre duke fshehur adresat IP dhe duke përdorur numra të paregjistruar telefoni.
-Asnjëherë mos i dërgoni para në internet dikujt që nuk e keni takuar kurrë!
-Mendoni dy herë kur postoni të dhëna personale në internet, mund t’ju mashtrojnë./dritare.net