“Tirana është themeluar mbi parimet e një qyteti të hapur dhe jo të paragjykimit”. Me këto fjalë iu drejtua sot, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, komunitetit kinez që jeton e punon prej vitesh në kryeqytetin shqiptar, të cilët kohët e fundit, për shkak të shpërthimit të koronavirusit, po shihen disi me skepticizëm. Bashkia e Tiranës, bashkë me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës në vendin tonë, organizuan një pritje për këtë komunitet, edhe si një mënyrë për të informuar opinionin publik.

“Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim me njeri-tjetrin sepse unë besoj që Tirana jonë është themeluar mbi parimet e të qënit një qytet i hapur, i pranimit dhe i dijes, jo një qytet i injorancës dhe i paragjykimit. Kemi shumë çifte kinezo-shqiptare, ndaj gëzohem shumë që ju shoh këtu. Shumë prej jush jeni votues, taksapagues dhe rezidentë këtu, jeni martuar me njëri-tjetrin, kemi fëmijë shqiptaro-kinezë; nuk jeni rreziku ynë. Rreziku ynë është injoranca dhe po të luftojmë injorancën me të njëjtin zell dhe me të njëjtën histeri që japim fake neës, do ishim një komb i paparë. Injoranca është e vetmja gjë që na lë pas, që na përçan, që na futet si pykë në marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe duhet t’i them çdo kinezi që jeton në Tiranë: Siç është qyteti im, është edhe qyteti juaj. Siç është qyteti i djalit tim, është edhe qyteti i djemve tuaj”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai kujtoi edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës në vitin 1920, Ismail Ndroqin, kur Tirana u shpall Kryeqytet i Shqipërisë, kohë në të cilën ai pati vizionin që të hapte dyert e qytetit për një qeveri që po kërkonte “shtëpi” sepse nuk kthehej dot në Durrës për shkak të situatës.

“Durrësi ishte i pushtuar dhe u desh një njeri me mendje dhe zemër të hapur, që përfaqësonte një mentalitet të hapur, për t’i thënë qeverisë: Eja në Tiranë, qoftë edhe përkohësisht, sa të kemi një rrugë më të sigurt drejt Durrësit, çka më pas nuk ndodhi kurrë dhe qeveria qëndroi përgjithmonë në Tiranë! Pinjolli i tij, Shefqet Ndroqi, emrin e të cilit mban sot spitali i sëmundjeve të mushkërive në Sauk, ka qenë ndoshta mjeku më guximtar që luftoi tuberkulozin në Shqipëri, Më shumë sesa një mjek, ai ishte një misionar sepse kur lufton një sëmundje, një epidemi, diçka përtej përmasave të një njeriu të vetëm, duhet të jesh patjetër misionar. Nëse ne do të themi: O den-baba-den, o këtu nuk futesh dot, s’do ishim 1 milionë sot. E filluam me 10 mijë në kohën e Ismail Ndroqit dhe sot jemi bërë 1 milionë. Nuk njëqindfishohet një qytet që nuk është i hapur, që s’ka mendje dhe zemër të hapur. Ndaj e kisha shumë të rëndësishme këtë takim sot, një drekë kinezo-shqiptare, për të treguar se Tirana është një qytet i hapur”, nënvizoi Veliaj.

Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, Zhou Ding, u shpreh se në Tiranë qytetarët po shprehin solidaritet me Kinën dhe mbështetje në luftimin e epidemisë.

“Jam i bindur se Tirana do të ecë akoma më përpara me qytetarët e saj kaq të edukuar. Tirana do të jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, titull që ajo e meriton. Tërmeti i 26 nëntorit solli shumë dëme të mëdha për Shqipërinë, e megjithëse Kina është në një situatë të vështirë në luftën kundër epidemisë, do të vazhdojmë të japim ndihmë për planin e rindërtimit”, tha ai.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, jashtë Kinës është regjistruar vetëm një rast me humbje jete për shkak të koronavirusit.

“Nëse e mbushim mendjen me dije e njohuri, kuptojmë se paranoja nuk ka vend në qytetin tone, as paragjykimet nuk kanë vend në qytetin tonë. Kjo nuk është një sëmundje gjenetike, nuk është një sëmundje me pigmentin e ngjyrës së lëkurës, kjo nuk është një sëmundje me lakimin e formës së syve. Këto janë të gjitha produkte të injorancës. Kjo është një sëmundje që, si çdo epidemi tjetër, psh gripi sezonal, nëse tregojmë higjienë maksimale, lajmë duart, ziejmë perimet, nëse gatuajmë me kujdes, mund të përballohet. Për Tiranën jo vetëm që s’ka vend për histeri, por ka vend për solidaritet dhe mirëkuptim, ka vend për mendje të hapur dhe informacion”, sqaroi ai.

Më tej, Veliaj tha se në Shqipëri, siç respektojmë çdo shtetas vendas, duhet të respektojmë edhe çdo shtetas që mund të ketë zbritur nga avioni përpara një dite dhe ka vendosur të themelojë këtu familjen e tij, biznesin, të ardhmen. Ai falenderoi popullin kinez për ndihmën që i dha Shqipërisë gjatë ditëve të vështira pas tërmetit të 26 nëntorit të shkuar.