Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot nga detyra prokurorin pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë, Adnand Xhelili. KPK shpalli sot vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Adnand Xhelili i cili nuk u paraqit në seancë. Trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Firdes Shuli relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare, përfundoi hetimin administrativ dhe analizimit të provave dhe fakteve dhe vendosi shkarkimin e Xhelilit.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 31 janar ndaj subjektit të rivlerësimit Adnand Xhelili, KPK evidentoi mungesë burimesh financiare të ligjshme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 117 m2 në Tiranë nga Enti i Banesave si edhe për ndërtimin e një shtëpie 3-katëshe në Borsh të Lukovës. Gjithashtu, u konstatuan edhe mospërputhje të të dhënave të pasqyruara në deklarata dhe atyre që figuronin në dokumentacionin zyrtar të siguruar gjatë hetimit administrativ.